Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit takohen me kryeministrin Kurti
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme priti në takim përfaqësuesit e Grupit për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit.
Ata i prezantuan Kryeministrit Kurti kërkesat e tyre në lidhje me mbrojtjen e liqeneve akumuluese gjithandej vendit, kundërshtimin e ndërtimeve afër tij dhe problemet tjera ekologjike në përgjithësi.
Ky grup ka kërkuar takim me Kryeministrin Kurti për t’i shprehur brengat dhe kërkesat e tyre në lidhje me këto çështje. Si Kryeministër i Republikës, Albin Kurti, ka thënë që dera e tij do të jetë gjithnjë e hapur, prandaj edhe dje i dëgjoi me vëmendje e kujdes kërkesat e këtyre qytetarëve.
Gjendja me ujin e pijes nuk është e qëndrushme, prandaj edhe nevoja për liqene artificiale është e madhe. U diskutua edhe për lumenjtë, brigjet e shtretërit e të cilëve duhet të rregullohen e pastrohen, problemin me shpyllëzimin e maleve, të hidrocentraleve dhe deponive të hapura të mbeturinave.