Gruda: VV-ja ua ka gërditur qytetarëve ndryshimin
Përparim Gruda, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani nuk mund të përfshihet në kritika ndaj sistemit të drejtësisë sepse kështu ndërhyn në kompetenca kushtetuese. Ai ka shtuar se Osmani e shkel rolin që i jep Kushtetuta me kritikat ndaj institucioneve të drejtësisë mbi mosngritjen e aktakuzës ndaj Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij për rastin e Banjskës.
I pyetur për atë që ka bërë partia në pushtet, Gruda është përgjigjur se ka pasur “degradim në të gjitha fushat dhe këta ia kanë gërditë qytetarëve të Kosovës ndryshimin”.
“Presidentja nuk ka të drejtë të komentoj dinamikën e punës së një prokurorie sepse është ndërhyrje në kompetencat kushtetuese të prokurorisë së shtetit, pavarësinë e tyre. Presidentja e ka përshkrim të punës të garantoj funksionimin kushtetues të institucioneve, prandaj është në shkelje të rolit të saj si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Gruda ka shtuar se kritikat publike ndaj Prokurorisë kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij po i bëjnë për t’i fshehur dështimet e veta.
“Për ta fshehur dështimin e vet. Pse kryeministri nuk e adreson çështjen që shefja e grupit të tij parlamentar dëgjohet duke folur në telefon me Radoiçiqin, pse nuk e adreson këtë por merret me prokurorinë kur prokuroria është brenda afateve të saj. Këta po donë ta fajësojnë prokurorinë që t’i ikin përgjegjësisë”, ka thënë ai.
E, sa i përket rastit të Faton Hajrizit, Gruda është shprehur se ai duhet të trajtohet vetëm në baza ligjore teksa deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe Kurtit rreth rastit i ka quajtur konspiracion.
“Ky rast është trajtuar në mënyrë tërësisht joprofesionale, nga ministrja e Drejtësisë në rend të parë, ministri i Brendshëm, kryeministri. Ky rast duhet të shikohet vetëm në aspektin ligjor dhe asnjë tjetër”.
Gruda është shprehur i sigurt në fitoren e PDK-së në zgjedhjet e radhës, ndërsa tregoi se cila do të jetë qasje e partisë ndaj drejtësisë. Ai ka thënë se e pranon se PDK-ja ka gabuar në të kaluarën sa ishte në qeverisje, por se ka bërë më shumë punë të mira se Lëvizja Vetëvendosje.
“Shumicën e gjërave që kjo Qeveri i ka bërë, janë të pamundura të shtyhen si reforma përpara. Prandaj duhet ndryshim rrënjësor, kërkohet intervenim urgjent në shumë sektorë në ligje, digjitializim i sistemit të drejtësisë. Për lëndë shumë të lehta do rrisim numrin e prokurorëve”, ka thënë ai.