Gropa që për pak i mori jetën një gruaje nga Prishtina (Foto)
Një incident i rëndë, por fatmirësisht pa humbje të jetës ka ndodhur ditë më parë në kryeqytet. Një qytetare ka rënë në një pusetë (gropë) që komuna e Prishtinës ka më shumë se tre muaj që nuk ka ndërmarrë asgjë për të mbuluar. Gruaja në fjalë e ka lënduar këmbën, ndërsa në rrezik janë qytetarët e lagjes që qarkullojnë çdo ditë andej.
Rrugë e trotuare në kryeqytet janë të dëmtuara, kurse vonesat për riparimin e tyre po u shkaktojnë probleme të mëdha qytetarëve.
Një pusetë e hapur ka mbetur në lagjen “Kalabria” të Prishtinës, më konkretisht përballë Kullës VI të njohura si “Banesat e Arabëve”.
Kjo gropë në trotuar mbulohet nga vetë qytetarët andej. Në janarin e këtij viti në atë gropë ishin vënë “therra”. Ndërsa kur kanë kaluar tre muaj, e njëjta gropë është “mbuluar” me disa dërrasa.
Duke mbetur e hapur, puseta është bërë rrezik për qytetarët e lagjes dhe ata që kalojnë andej. Madje qytetarja Fahrije Leci ditë më parë ka rënë në pusetë dhe ka lënduar këmbën.
E lënduara Fahrije Leci që ka një dyqan të rrobaqepësisë aty afër, thotë se tani gjithë hallin e ka te fëmijët që kalojnë e luajnë çdo ditë në këtë pjesë dhe nënat që kalojnë andej me karroca.
Leci ka treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se kjo gropë ekziston pothuajse nga muaji dhjetor.
“Para disa ditëve jam rrëzu në këtë gropën këtu. E kam vra këmbën. Nuk është veç problemi jem, sa i fëmijëve. Aty mundet me ra ndonjë fëmijë e me u fundos. Është puna se ndoshta unë bëhem sebep e rregullohet kjo gropë. Çka nëse i rrëshqet dikujt karroca e fëmijës”, është shprehur Leci.
Në këtë pusetë kanë rënë edhe disa banorë të tjerë, por që kanë hezituar t’i drejtohen komunës. Kjo pasi që siç thonë ata pa dashur të identifikohen, komunës nuk i bëhet vonë për një gropë që është hapur aty.
Kurse, Komuna e Prishtinës sipas një njoftimi për tender që ka publikuar me 18 mars, po planifikon të ndaj mbi 500 mijë euro për sanimin e gropave dhe deformimeve të shtresave të asfaltit në rrugë dhe trotuarët e kryeqytetit.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ju sjell fotografi dhe video të pusetës në fjalë. Shihni se si mbulohet ajo./FaktePlus
Më poshtë sjellim fotografi të bëra nga janari e deri më sot të po të njëjtës pusetë: