Grindje mes mysafirëve, dy kanadezë vriten në një hotel në Meksikë
Dy kanadezë janë qëlluar për vdekje dhe një tjetër është lënduar pas një mosmarrëveshjeje mes mysafirëve në një hotel afër Cancunit të Meksikës, thanë zyrtarët lokalë të sigurisë.
Të shtënat shpërthyen të premten në hotelin “Xcaret Mexico” në qytezën turistike, Playa del Carmen, në bregdetin e Karaibeve, shkruan BBC.
Fotografitë e sulmuesit të dyshuar u publikuan në internet nga komandanti rajonal i policisë, Lucio Hernandez Gutierrez. Sulmuesi i dyshuar, i cili ishte mysafir në hotel, është ende në arrati dhe policia e ka nisur operacionin e kërkimit.
Komandanti policor tha se arma që shihet në dorën e të dyshuarit në njërën nga fotografitë është shkrepur gjatë një zënke mes mysafirëve, ndërsa zyra e prokurorit shtetëror në Quantana Roo tha se të dyja viktimat kishin të kaluar kriminale.
Kohëve të fundit është shënuar rritje e sulmeve ndaj turistëve të huaj në rajon. Dy trafikues të dyshuar droge u vranë nga të shtënat në nëntor të vitit të kaluar në Cancun. Katër turistë amerikanë u qëlluan me armë në këtë sulm.
Në tetor, një turist amerikan dhe një gjerman u vranë nga të shtënat mes dy bandave të drogës në qytezën turistike, Tulum.