Grenell ndjekë pesë politikanë kosovarë në Twitter, por jo edhe Albin Kurtin
Edhe pse është takuar me Albin Kurtin të enjten, po ashtu edhe në tetorin e vitit të kaluar, Ambasadori i ShBA-ve në Berlin, Richard Grenell nuk e ndjek liderin e Lëvizjes Vetëvendosje në Twitter, një rrjet social të cilin ai e konsideron serioz.
Grenell, i cili mori përsipër udhëheqjen e dialogut Kosovë-Serbi vitin e kaluar – i emëruar direkt nga presidenti amerikan Donald Trump, është goxha aktiv në Twitter. Aty ai shpërndan shkrime të gazetave, diskuton me diplomatë dhe gazetarë, si dhe publikon pothuajse të gjitha aktivitetet e tij diplomatike.
Madje në vitin 2014, magazina famoze amerikane TIME, e kishte renditur atë në mesin e 10 politikanëve më aktiv në këtë rrjet social.
Me 168 mijë ndjekës, Grenell vazhdon të mbetet shumë aktiv në këtë rrjet social edhe me çështjet që lidhen me detyrën e re që ai ka marrë përsipër: zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
I ashtuquajtur ‘dekan’ i të gjithë ambasadorëve të ShBA-ve në Evropë, Grenell i ka ndjekur në Twitter disa politikanë kosovarë, por edhe serbë.
Në mesin e këtyre politikanëve janë presidenti Hashim Thaçi, kryediplomati në detyrë, Behgjet Pacolli, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Grenell, po ashtu e ndjek në këtë rrjet social edhe ambasadoren e Kosovës në ShBA, Vlora Çitakun, si dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.
Por, ndonëse Grenell përmes Twitterit e falënderoi Kurtin për takimin që të dy zhvilluan me njëri-tjetrin të enjten, asnjëri nuk e ndjek tjetrin në këtë rrjet social.
“Faleminderit Albin, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës duhet të jetë prioritet për tërë rajonin”, ka shkruar Grenell në Twitter, duke i komentuar një shkrimi të Kurtit – po ashtu lidhur me takimin mes tyre.
Në shkrimin e tij, Kurti tha se me Grenellin ka diskutuar për nevojën urgjente në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës.
“Prita ambasadorin amerikan Richard Grenell sot në zyre, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe deputeten Fitore Pacolli. Diskutuam nevojën urgjente për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e mundësive për punësim”, shkroi Kurti në Twitter.