Gratë nga e gjithë Kosova preferojnë lindjet në Prishtinë
Nga: Adelinë Sahiti
Një numër i madh i grave shtatzëna nga gjithë komunat e Kosovës ende vazhdojnë të sjellin në jetë fëmijët e tyre në Prishtinë, edhe pse lindjet mund t’i kryejnë në spitalet rajonale nëpër qytetet ku edhe jetojnë.
Drejtorja e Klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, Myrvete Paçarada tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se klinika në Prishtinë është e mbingarkuar me numrin e madh të pacienteve dhe lindjeve që kryhen në të.
Ajo tregon se për këtë çështje kanë pasur në vazhdimësi kontakte me të gjitha qendrat e spitalet e tjera, në mënyrë që mos të dërgohen të gjitha rastet në QKUK.
“Drejtoria e KOGJ ka pasur në vazhdimësi kontakt me të gjitha qendrat dhe ka organizuar edhe takime informuese dhe këshilluese për këto çështje me qëllim që referimi të bëhet në bazë të kritereve strikte ashtu qe personeli im të mos mbingarkohet, ndërkaq shërbimi për pacient të jetë optimal”, ka thënë Paçarada.
Që numri i pacienteve është i madh në këtë klinikë tregohet edhe me statistikat që drejtorja ofron për FaktePlus.
Ajo tregon se vetëm nga muaji janar i këtij viti e deri më 8 nëntor 2018, shërbime shëndetësore në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të QKUK-së kanë kërkuar 15 mijë e 612 paciente.
Sipas profesoreshës Myrvete Paçarada, përveç referimit nga qendrat tjera janë edhe disa faktorë tjerë që kanë ndikuar që lehonat të kërkojnë shërbimet në Prishtinë.
Ajo vlerëson se stafi i specializiuar që posedon Klinika Obstetrike Gjinekologjike KOGJ ka ndikuar në rritjen e besimit tek nënat që fëmijët e tyre, e sidomos lindjet e para t’i kryejnë në këtë institucion.
“Parimisht referohen pacientet e grupit me risk të lartë, lindjet e para dhe shtatzënitë e shoqëruara me patologji përcjellëse. Një numër i madh i rasteve të referuara i atribuohet edhe besimit dhe kërkesës së pacienteve që lindjen ta kryejnë në KOGJ për shkak të numrit më të madh të mjekëve si dhe ekspertizës së personelit mjekësor të punësuar në KOGJ”, është shprehur doktoreshë Paçarada.
Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike (KOGJ) puna është e organizuar dhe e distribuuar në 13 reparte të cilat kanë shefin e repartit dhe motrën kryesore.
Në këtë institucion janë të punësuar 46 mjekë specialistë dhe 201 infermiere me kuadër të mesëm mjekësor dhe tri infermiere me gradën bachelor. Po ashtu, duke marrë parasysh se KOGj shërben si qendër për edukimin specialistik këtu punojnë edhe 36 mjekë në specializim.
Kurse të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017 tregojnë se brenda territorit të Kosovës nëpër institucionet shëndetësore ku ofrohen shërbimet gjinekologjike, janë kryer 23 mijë e 563 lindje. Nga to, lindje të gjalla ishin 23 mijë e 402, ndërsa 161 ishin lindje të vdekura. Ndërkohë një numër i lindjeve janë kryer edhe jashtë territorit të Kosovës. Saktësisht janë 6 mijë e 712 lindje që janë kryer jashtë.
Ndryshe Kosova numëron 7 spitale të përgjithshme, në të cilat kryhen thuajse të gjitha shërbimet sikurse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këto janë qytetet e mëdha, si Prizreni, Ferizaj, Gjakova, Gjilani, Peja, Mitrovica dhe Vushtrria, por ka edhe në qytete tjera./FaktePlus