Gratë e Kosovës që po ikin nga lindjet normale
Edhe pse profesionistët shëndetësorë çdo herë sugjerojnë që të kryhen lindje natyrale, në Kosovë gjithnjë e më shumë ka rritje të numrit të grave shtatzëna që preferojnë lindje në formën jonatyrale, respektivisht me prerje cezariane (operacione gjatë lindjes).
Bazuar në të dhënat që disponon Klinika Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, tashmë mosha mesatare e grave që sjellin në jetë foshnje për herë të parë është nga 21-30 vjeçare, e që përbën rreth 49 për qind nga numri i tërësishëm i lindjeve.
Kurse nga 9020 lindje që janë kryer në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike nga janari i këtij viti e deri me 21 nëntor, një numër i konsiderueshëm i tyre është kryer edhe me prerje cezariane.
Drejtorja e Klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, Myrvete Paçarada thotë se profesionistët shëndetësorë në shumicën e rasteve u preferojnë grave të kryejnë lindje normale në vend të asaj cezariane.
“Lindja normale preferohet më shumë për shkak se është më pak traumatike për organizmin, ka rrezik më të ulët për gjakderdhje dhe infeksion, si dhe nevojitet qëndrim më i shkurtë në klinikë dhe bëhet rehabilitim i shpejtë”, ka thënë Paçarada për FaktePlus.
Mirëpo të dhëna të ndryshme tregojnë se gratë shtatzëna çdo ditë shumë e më shumë po vendosin për lindje me prerje cezariane, vetëm që t’iu shmangen dhembjeve e lodhjes që sjellin lindjet natyrale.
Disa gra u frikësohen komplikimeve, siç janë plasja e ujërave, ngatërresat e foshnjës me kordonin, dhembjet shumë orëshe, derisa disa tjera besojnë që lindja me operim është më pak traumatike edhe për foshnjën.
Por, drejtorja Paçarada tregon rastet kur profesionistët shëndetësorë thonë se duhet praktikuar lindja me prerje cezariane (operacione gjatë lindjes).
“Lindja kryhet me operacion për shumë arsye, si: lindjet paraprake me prerje cezare, intervenimet në mitër, paraqitja me pelvik e bebes në kanalin e lindjes, shtatzënitë e shumëfishta me binjakë, trinjak, nëse beba është në peshë të madhe, si dhe kanali i lindjes jo i favorshëm. Numri i lindjeve me prerje cezare është shtuar për shkak të evitimit të komplikimeve të lindjes si për nënën ashtu edhe bebën”, theksoi Paçarada.
Kjo mënyrë e lindjes bartë në vete edhe rreziqe, duke shfaqur kësisoj komplikime gjatë procesit dhe pas procesit të lindjes.
Mjekja Paçarada thhotë se rreziqet e lindjes me prerje cezariane mund manifestohen me komplikime intraoperative dhe postoperative.
“Komplikimet gjatë operacionit janë ato të anestezionit, komplikimet e intervenimit operativ që shoqërohen me gjakderdhje, dëmtimet e organeve fqinjë. Infeksionet gjatë këtij operacioni mund të jenë tre llojesh:a) Infeksioni i plagës, b) Infeksioni i pjesës së brendshme të mitrës apo endometrit dhe c) Infeksioni i traktit urinar”, ka nënvizuar ajo.
Ndërkaq, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë edhe pse nuk kanë shifra të sakta pohojnë se numri i lindjeve me prerje cezariane është më i lartë se vitet e kaluara dhe kjo formë zakonisht në numër më të madh po kryhet nëpër ordinancat private.
“Lindjet me rrugë normale janë dominante, por ka një rritje të lindjeve edhe me prerje cezariane. Lindjet me prerje cezariane janë më të shprehura në sektorin privat”, ka thënë për FaktePlus drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.
Ai bëri të ditur se Ministria e Shëndetësisë është në përgatitje dhe së shpejti do të publikohet raporti perinatal për vitin 2016 dhe aty do të ketë të dhëna më të sakta për këtë çështje./FaktePlus