“Goran Rakiqi duhet të arrestohet për deklaratat e tij luftënxitëse”
“Po të mos tërhiqej ROSU, do të bëhej luftë”, ka thënë kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore gjatë ditës së sotme derisa po mbahej protesta e qytetarëve serbë të Kosovës në veri. Analistët këto deklarata i kanë cilësuar si shumë të rrezikshme, për të cilat do të duhej edhe të arrestohej.
Qëndresë Uka
Gjatë ditës së sotme serbët e katër komunave veriore të Kosovës kanë protestuar kundër taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovë ndaj produkteve serbe. Me këtë rast, kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ka kërcënuar se, përveç protestave, ata do të vendosin barrikada në veri.
“Po të mos tërhiqej ROSU, do të bëhej luftë”, ka deklaruar Rakiq.
Pas deklaratave të tilla, FaktePlus ka kontaktuar zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hotin, i cili ka thënë se nuk është në dijeni për deklarata të tilla dhe se policia nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me këtë.
“Nuk e kam dëgjuar, sinqerisht nuk e di. Ai ka thirrur për protestë të qetë, prej dje. Edhe sot ka qenë protestë e qetë. Nuk kanë vendosur barrikada. Ai ka protestuar për taksa, po nuk e di që ka thirrur në deklarata të tilla”, tha Hoti.
Analisti politik Belul Beqaj ka thënë se deklaratat e Goran Rakiqit janë indikacion serioz për sigurinë dhe shtetin e Kosovës.
Beqaj ka thënë se kjo situatë mund të jetë plan alternativ i dy presidentëve – Hashim Thaçit dhe atij serb Aleksandar Vuciq, për ta aneksuar veriun. Sipas tij, më së shumti nga kjo përfiton Qeveria Haradinaj.
“Është indikacion serioz edhe për sigurinë e shtetit . Ndonëse mund të jetë një plan alterantivi naiv i Thaçit dhe Vuçiqit për të aneksuar veriun me bekimin e heshtur të ndërkombëtarëve, që i ka dromitur lidershipi primitiv shqiptar! Në anën tjetër, kjo mund të jetë në favor të Qeversië së Haradinajt për të fituar mbështejten popullore për veprimin që e ka ndërmarrë me ngritjen e taksës së mallrave të Serbisë”, ka thënë Beqaj.
Kurse analisti Nexhmedin Spahiu deklaratën e Rakiqit e sheh si kërcënim direkt ndaj rendit kushtetues. Sipas tij, një person i cili bën kryengritje të tilla, duhet të arrestohet.
“Ky është kërcënim ndaj rendit kushtetues, dhe një person i tillë duhet të arrestohet. Këtë nuk guxon ta thotë asnjë kryetar komune, as kusho qoftë. Kjo është thjesht një kërcenim me luftë. Do të duhej jo vetëm të intervistohej, por të arrestohej. Nëse një kryetar komune bën ftesë për kryengritje, kjo është ftesë direkte”, ka thënë Spahiu për FaktePlus.
Në vijë me Spahiun është edhe Beqaj, i cili ka thënë se, sikur të kemi një shtet normal dhe politikbërës, kryetrari Goran Rakiq do duhej të arrestohej nga Policia e Kosovës.
“Po, sikur të kishim shtet normal dhe politikbërës normal”, ka shtuar Beqaj për FaktePlus.
Beqaj i ka komentuar veprimet e Listës Serbe, duke thënë se në vend të normalizimit, ajo po i radikalizon raportet.
“Retorika dhe veprimet e Listës Serbe janë në funksion të radikalizimit të raporteve,veçmas në veri, në vend të normalizimit. Por, në këtë funksion po instrumenatlizohet edhe ngritja e taksës, por edhe momenti i ‘koincidencës’ së arrestimit të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, ka thënë ai.
Serbët nga komunat e Mitrovicës së Veriut, Graçanicës dhe Shtërpcës kanë protestuar për rreth një orë, për shkak të taksës doganore nga 10 në 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës./FaktePlus/