Goditje e rëndë për Bidenin, republikani Youngkin buzë fitores në Virgjinia
Kandidati republikan për guvernator të Virgjinias, Glenn Youngkin, pritet të zgjidhet guvernator i këtij shteti të ShBA-së, sipas parashikimeve të medieve amerikane.
Ai është në epërsi prej 2.7 për qind ndaj demokratit Terry McAuliffe, kur janë numëruar më shumë se 95 për qind e votave, shkruan BBC.
Zgjedhjet në Virgjinia janë parë gjerësisht si referendum për presidencën e Joe Bidenit dhe humbja do t’i nevrikoste demokratët. Vitin e kaluar, Bideni fitoi në Virgjinia në zgjedhjet presidenciale me 10 për qind epërsi.
Në një fjalim para përkrahësve, republikani Youngkin e quajti fitoren e tij “moment përcaktues”. “Së bashku, ne do ta ndryshojmë trajektoren e këtij shteti. Dhe miq, ne do ta fillojmë këtë transformim në ditën e parë”, tha ai.
Youngkin do të jetë republikani i parë që fiton në garën shtetërore në Virgjinia që nga viti 2009. Gjatë fushatës zgjedhore, ai u përqendrua në ekonomi dhe në luftën kundër krimit.
Në anën tjetër, kundërkandidati i tij demokrat bëri më shumë fushatë për të drejtat e abortit dhe reformën e zgjedhjeve.
Ndryshe, popullariteti i Presidentit Biden ka rënë për shkak të rritjes së inflacionit, rimëkëmbjes së ngadalshme ekonomike, agjendës së bllokuar legjislative dhe pasojave të tërheqjes kaotike të forcave amerikane nga Afganistani.