Gjykatësi amerikan: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i arsyeshëm
Një gjykatës amerikan, njohës i sistemit të drejtësisë në Kosovë, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i arsyeshëm. Ish Kryetari i Gjykatës së Apelit në shtetin e Iowas, Larry Eisenhauer, thotë në një intervistë se shkuarja në zgjedhje pas humbjes së votë-besimit në parlament nuk është alternativa e vetme. Ai thotë se kriza si kjo janë të pashmangshme me sistemin politik në Kosovë, përderisa votuesit nuk i japin shumicën absolute një partie që të qeverisë vendin.
Ish kryetari i gjykatës së apelit në Ajova, Larry Eisenhauer, i cili ka shërbyer si gjykatës ndërkombëtar në Kosovë, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i është dukur i drejtë, ndërsa konstaton se nuk është e domosdoshme shkuarja në zgjedhje pas një mocioni mosbesimi.
“E kam lexuar përmbledhjen. Duket se është e peshuar dhe në zbatim të ligjit. Përfundimi i Gjykatës Kushtetuese është se vota e mosbesimit për qeverinë dhe rrëzimi i qeverisë nuk kërkon zgjedhje të reja, por i jep të drejtën presidentit të propozojë kryeministrin e ri. Tani priten veprimet e parlamentit”, thotë ai.
Ndërsa në Kosovë shumë zëra po kontestojnë pavarësinë e panelit të Gjykatës Kushtetuese, zoti Eisenhauer është i prirur të besojë në betimin që bën secili gjyqtar para marrjes së detyrës.
“Nuk mund të them nëse ajo gjykatë, ashtu siç është tani, është tërësisht e pavarur, ose që nuk është e ndikuar nga politika. Ajo që mund të them, është se gjyqtarët bëjnë betimin që të respektojnë kushtetutën, bëjnë betimin që të zbatojnë ligjin dhe nëse e ndjekin atë betim atëherë ata kanë legjitimitet dhe vendimi duhet të respektohet”, tha ai.
Vendimi i kushtetueses solli një situatë të re politike në Kosovë. Kritikët thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të krijojë precedentin e përsëritjes së krizave politike, pasi partitë jofituese mund të rrëzojnë partinë e parë dhe më pas të marrin drejtimin e qeverisë. Sipas gjyqtarit amerikan, e ardhmja e vendit, është në duar të popullit.
“Kosova ka një situatë ku asnjë parti politike nuk ka shumicën absolute. Mesa mbaj mend unë, asnjë parti, nuk ka marrë më shumë se 50 për qind. Pra gjithmonë Kosova do të ketë situata ku partitë duhet të bashkohen, që të arrijnë këtë shumicë parlamentare dhe kanë mundësinë e votës së mosbesimit dhe qeveria të bjerë. Pra gjithshka varet nga votuesit, a duan ata të zgjedhin dhe të mbështesin një parti të vetme, që do të ketë mundësi të qeverisë pa këto skenarë”, thotë gjykatësi Eisenhauer.
Larry Eisenhauer ka punuar si gjykatës ndërkombëtar në kuadër të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë gjatë vitit 2005. Njeriu që pa Kosovën në fillimet e veta, thotë se kjo situatë është normale për një vend të ri.
“Mendoj se Kosova po kalon fazat e mundimshme të pjekurisë, fazë kjo që prek çdo vend të ri. Kosova ka në të kaluarën e vet një luftë brutale derisa fitoi pavarësinë nga Serbia. Unë nuk jam i gatshëm të heq dorë nga Kosova. Mendoj se Kosova ka një të ardhme të mrekullueshme, në veçanti të rinjtë që kam takuar, të cilët e kuptojnë nocionin e demokracisë dhe kam besim se Kosova mund të jetë histori suksesi”, thotë gjyqtari për Zërin e Amerikës.
Pasditen e së hënës Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi të plotë vendimin, duke i hapur rrugën Lidhjes Demokratike dhe partnerëve të saj të koalicionit ta hedhin për votim në parlament përbërjen e qeverisë së re.
Vendim i Gjykatës Kushtetuese i hapi rrugën Kuvendit që të thërrasë seancën për miratimin e qeverisë së re.