Gjykata Supreme mban sekret numrin e ankesave të partive politike
Gjykatës Supreme të Kosovës i kanë mbetur edhe pak orë që të pranojë ankesat nga subjektet politike pas vendimit të djeshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për rinumërim të 1472 vendvotimeve dhe anulim nga rezultati përfundimtar i votave të ardhura nga Serbia.
Por, pavarësisht se koha deri kur mund të bëhen ankesa po afrohet, zyrtarë të kësaj gjykate nuk kanë treguar se a kanë pranuar ndonjë ankesë nga subjektet politike deri më tani, shkruan FaktePlus.
Zyrtari për informim në Gjykatën Supreme, Vullnet Sokoli ka thënë për FaktePlus se nuk dëshirojnë të bëjnë të ditur se a ka pasur ankesa nga subjektet politike, për shkak që siç ka thënë ka ende kohë dhe numri i tyre mund të ndryshojë.
“Nuk mund të bëjmë të ditur se sa është numri i ankesave, pasi që ka ende kohë dhe numri i tyre mund të ndryshojë, dhe pastaj informata mund të del gabim”, ka thënë ai, për FaktePlus.
Sipas tij, afati i partive politike për të dorëzuar ankesat është 24 orë që nga momenti kur PZAP-ka shpallur vendimin.
“Partitë politike kanë afat 24 orë që të dërgojnë ankesa në Gjykatën Supreme, pra nga momenti kur PZAP-ja, ka marrë vendim”, ka deklaruar Sokoli.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se nga gjithsej 100 ankesa, 53 i ka pranuar si të bazuara, ku prej tyre për 52 ka vendosur që të urdhëroj KQZ-në, për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.
Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranoj të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia, shkruan FaktePlus.
Lidhur, me këtë vendim të PZAP-së, disa prej partive politike kanë paralajmëruar edhe ankesa, ndërsa këtë vendim e kanë quajtur si akti më antikushtetues ndaj demokracisë.
Anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Rrustemi ka thënë se vazhdimisht kanë kundërshtuar mënyrën e regjistrimit dhe votimit nga Serbia.
“Ne vazhdimisht kemi kundërshtuar mënyrën e regjistrimit e votimit nga Serbia. Madje kur të tjerët miratonin, unë kam bërë ankesa në PZAP e deri në Gjykatën Kushtetuese – të gjitha i refuzonin, sepse nuk ju duhej për aranzhmane politike të këtij lloji, por ju duheshin edhe për ta votuar Qeverinë. Tani u kujtuan që t’i heqin votat nga Serbia, mirë shumë. Por çfarë do të bëjnë me vendimet e tyre të mëparshme, të kundërta më këtë e për të njëjtën çështje”, ka thënë ai.
Pas këtij, vendimi të PZAP-së, e cila anuloi votat e ardhura nga Serbia, koalicioni Nisma Socialdemokrate-AKR-PD do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, me gjashtë deputetë.
Mirëpo, kjo mund të ndodhë vetëm nëse ky vendim i PZAP-së, nuk rrëzohet nga Gjykata Supreme.
Kjo do të bënte që gjashtë deputetë të partive të tjera të largoheshin nga kjo legjislaturë, për t’ia lënë vendin atyre të Nismes.
Do të jenë së paku 6 deputetë që do të kenë më pak katër partitë (LVV, LDK, PDK, AAK) që nga publikimi i rezultateve përfundimtare kanë siguruar numër më të madh të votave.
Këto katër parti do të humbin kush nga 2 deputetë e kush nga 1, pasi 6 deputetë pritet t’i ketë koalicioni Nisma – AKR – PD./FaktePlus