Gjykata Speciale u krijua që të dëmtojë imazhin e Kosovës, s’ka të vërteta në raportin e Dick Martit (VIDEO)
Gjykata Speciale në gjysmën e dytë të këtij viti ka intensifikuar ftesat për ish- ushtarët e UÇK-së.
Që prej kohës së votimit në Kuvendin e Kosovës, kjo gjykatë është kundërshtuar jo vetëm nga disa deputetë, por në mënyrë kategorike kundërshtim ka marrë thuajse edhe nga të gjithë ish- luftëtarët e lirisë.
Kjo pasi që Specialja do të merret kryekëput me ish- ushtarët e UÇK-së, e jo edhe me ata që kanë kryer krime në Kosovë.
E, tashmë kur kjo gjykatë ka rritur numrin e ftesave për intervistim, duke ftuar edhe figura të larta politike, nga ish- luftëtarët e UÇK-së po vazhdon të vlerësohet si e padrejtë dhe me tendencë dëmtimin e imazhit të Kosovës.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi në një intervistë për FaktePlus thotë se kjo gjykatë është formuar në bazë të raportit të Dick Martyt, e i cili sipas tij, nuk ka asgjë të vërtetë.
“Unë Gjykatën Speciale qysh prej fillimit e kam kundërshtuar, është një gjykatë e padrejtë, një gjykatë e qëllimshme dhe një gjykatë politike për arsye se kjo gjykatë është formua në bazë të një raporti të Dick Martyt edhe ai raport po del që nuk ka asnjë gjë të vërtetë”, ka thënë Qeriqi.
Ai ka deklaruar se qëllimi i Dick Martyt ka qenë që ta dëmtojë imazhin e Kosovës në opinionin ndërkombëtar, e jo të merret me dënime për ushtarët e UÇK-së.
“Qëllimi i Dick Martyt ka qenë që ta dëmtojë imazhin e Kosovës, nuk ka qenë qëllimi që t’i dënojë ushtarët e UÇK-së, por qëllimi ka qenë që ta dëmtojë imazhin e Kosovës në opinionin ndërkombëtar kështu që unë e shoh si të padrejtë për shumë arsye sepse të gjithë e dinë edhe ndërkombëtarët se kush ka kryer krime, sa masakra janë bërë, qindra masakra, po ashtu janë gjet dhjetëra varreza masive në Serbi që i ka kryer Serbia, e kemi dëbimin, shkatërrimin, djegien dhe të gjitha ato që i ka bërë Serbia edhe kjo ka qenë arsyeja se përse Bashkësia Ndërkombëtare ka intervenuar në Kosovë për ta parandaluar këtë krim, e në anën tjetër ftohen qindra luftëtarë gjë që është e padrejtë edhe nuk kanë asnjë bazë edhe besoj fuqishëm se ata do të dalin fitimtarë për arsye se nuk ka asnjë argument, asnjë element që e vërteton se Ushtria Çlirimtare ka kryer krim”, ka thënë ai për FaktePlus.
Qeriqi, në këtë intervistë ka folur edhe për fryrjen e listave me numrin e veteranëve të UÇK-së, duke thënë se tashmë askush nuk e di saktë se sa është numri i tyre
“Ne kemi qenë të pakënaqur me fryrjen e listave që janë bërë, tash askush nuk e di sa është shifra e këtyre listave. Në bazë të deklarimeve që i kanë dhënë disa anëtarë të Komisionit këtu po del të jetë një marrëveshje politike edhe për qëllime tjera të ndryshme janë fryrë këto lista dhe na është bërë e padrejtë neve si luftëtarë, sepse na është dëmtu imazhi dhe me këtë po dëmtohen edhe taksapaguesit e këtij vendi, do të thotë edhe buxheti i Republikës së Kosovës’, ka thënë ai.
Sipas tij, fajtor kryesor për fryrjen e këtyre listave është Komisioni Qeveritar.
“Fajtori dihet, është Komisioni Qeveritar për arsye se të gjithë ata anëtarë të atij Komisioni kanë qenë edhe pjesë e luftërave, dhe shumica prej tyre kanë qenë edhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të cilët e kanë pas një evidencë se sa luftëtarë kanë qenë pjesëmarrës në luftë”, ka shtuar Qeriqi.
Ndërsa, duke folur për nisjen e hetimeve nga Prokuroria për fryrjen e këtyre listave, Qeriqi ka pohuar se kjo e fundit mund ta vë në binar këtë çështje, pasi që ka shumë alternativa.
“Unë mendoj se në rast se Prokuroria merret seriozisht gjinden rrugëdalje, në rast se nuk është një seriozitet nga ana institucioneve të drejtësisë, normalisht që edhe ne do të pësojmë si luftëtarë por edhe qytetarët e këtij vendi do të pësojnë për arsye se do të keqpërdoren taksat e tyre duke përfituar njerëz pa qenë fare në luftë. Prokuroria ka alternativa të ndryshme janë arkivat e Shtabit të Përgjithshëm, po ashtu ka arkiva me të cilat mund të bazohet Prokuroria e Shtetit edhe të bëjë zgjidhje”, ka thënë ai.
Duhet thënë se deri në muajin korrik të këtij viti pensione kanë përfituar 38 mijë e 74 persona si veteranë të UÇK-së. Shuma që është shpenzuar në muaj për ta është 6 milionë e 388 mijë e 344 euro.
Por, numri i veteranëve në muajin gusht është rritur edhe për 29 persona. Gjatë atij muaji u paguan 38 mijë e 103 veteranë, e që buxhetit të shtetit i kushtuan 6 milionë e 390 mijë e 770 euro./FaktePlus