Arrestime çdo ditë për armë, gjykatat ende asnjë dënim sipas ligjit të ri
Afati për legalizimin e armëve pa leje në Kosovë ka skaduar më 17 shtator të këtij viti. E nga ajo ditë edhe pse ka hyrë në fuqi ligji i ri, gjykatat ende nuk kanë shqiptuar dënime për gjithë ata që njësitet policore po i kapin me armë të vogla dhe të lehta në Kosovë.
Me ligjin e ri, mes tjerash parashihet gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Aty parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.
Por, dënime të tilla nuk del të ketë dhënë Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë kësaj periudhe prej rreth një muaji e gjysmë.
Ka më shumë se një javë prej kur Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar të dhëna për shqiptimin e dënimeve eventuale sipas ligjit të ri për kapjen e personave me armë ilegale, por zyrtarët e gjykatës nuk u janë përgjigjur pyetjeve.
Ndërkohë sot Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka bërë prezantimin e një strategjie dhe udhërrëfyesi për një zgjidhje të qëndrueshme të armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta dhe të municioneve në Ballkanin Perëndimor, të zhvilluar deri në vitin 2024, si pjesë e nismës franko-gjermane dhe planin e miratuar në Kosovë.
Si do qoftë, njësitet policore edhe pasi ka skaduar afati për legalizimin e armëve pa leje në Kosovë, kanë arrestuar gati çdo ditë persona që janë kapur me armë zjarri.
Të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës tregojnë se këtë vit, deri pak para përmbylljes së fushatës për legalizim, janë konfiskuar gati 1 mijë armë.
“Gjatë këtij tetë mujori (janar-gusht), policia ka konfiskuara 996 armë të llojeve të ndryshme dhe 11192 copë municion”, thuhet në përgjigjen e policisë.
E numër më i madh i konfiskimeve sipas policisë ka ndodhur gjatë vitit të kaluar.
“Policia e Kosovës për të krijuar ambient më të qetë, gjatë aktiviteteve dhe angazhimeve ditore, gjatë veprimeve operative dhe hetimore, në vitin 2018 ka konfiskuar 1473 armë të llojeve të ndryshme, si dhe 23 mijë e 941 municione ta kalibrave të ndryshëm”.
Kujtojmë se fushata “Me letra”, e MPB-së nuk ka arritur të ketë efektin e saj për të legalizuar armët pa leje ani pse ky institucion kishte shtyrë afatin disa herë për legalizim.
Deri në përmbyllje të fushatës për legalizim të armëve në MPB kanë aplikuar rreth 1800 persona, ndërsa bazuar në të dhënat e MPB-së numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 250 mijë sosh.
Procedura për legalizim të armës merrte kohë prej 30 ditësh dhe qytetarëve u jepej pëlqimi për armëmbajtje në shtëpi. Ndërsa ai ose ajo obligohet që brenda një viti të kryejë trajnimin për përdorim të sigurt dhe mirëmbajtje të armës.
Pas ofrimit të dëshmive mbi gjendjen ligjore dhe të drejtën e veprimit ligjor, aplikuesi pajiset me leje për posedim të armës – me arsyetim të përdorimit për rekreacion, shenjëtari ose gjueti, varësisht nga lloji i armës.
Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, arrin vlerën e rreth 300 eurove./FaktePlus