Gjykata Kushtetuese tregon se kur merr vendim për Ligjin e ri të Pagave
Tashmë kur ka mbetur edhe pak ditë që punëtorët e sektorit publik të marrin pagat nga shteti për muajin dhjetor sipas Ligjit të ri për paga (shumica me ngritje), një gjë e tillë është komplikuar.
Rritje të pagave edhe pse jo për të gjithë njësoj, është paraparë për shkak se Ligji i Pagave, i cili është miratuar në shkurt të këtij viti, parashihte ndryshime në koeficient për punëtorët e sektorit publik, shkruan FaktePlus.
Mirëpo, për këtë ligj që nga momenti i miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës u shprehën pakënaqësi të shumta nga një numër i madh i sindikatave.
Disa prej tyre kishin paralajmëruar greva e protesta nëse ky ligj zbatohet ashtu siç është miratuar, por disa të tjera e kishin paralajmëruar të njëjtën gjë nëse ky ligj pezullohet.
E, nga të gjitha këto pakënaqësi në Zyrën e Avokatit të Popullit janë dorëzuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në sektorë të ndryshëm.
Pikërisht në ditën e katërt kur edhe filloi të zbatohet ky ligj, Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.
Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji.
Por, kur pritet të marrë vendim Gjykata Kushtetuese për Ligjin e ri të Pagave?
Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula ka thënë për FaktePlus se nuk kanë ndonjë afat të caktuar për të marrë vendim.
“Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, bazuar në normat kushtetuese e ligjore në fuqi, Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje”, ka thënë Dula për FaktePlus.
Pas dërgimit në Kushtetuese të këtij ligji në Ministrinë e Financave dhe atë të Administratës Publike kanë bërë të ditur se do të veprojnë në bazë të vendimit të Kushtetueses./FaktePlus