Gjykata Kushtetuese tregon për sa kohë do t’i kthejë një përgjigje Haradinajt
Kryeministri në dorëheqje i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dje njoftoi se e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të vendit. E zyrtarë nga Kushtetuesja kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se për sa kohë do të kthejnë e japin një përgjigje për çështjen në fjalë.
Kërkesa e Haradinajt për Kushtetuesen erdhi pasi u krijuan shumë paqartësi si politike, e juridike nëse ka apo jo aktualisht Kosova qeveri, qoftë edhe me kompetenca të kufizuara.
Haradinaj njoftoi se me të dorëzuar kërkesën ka kërkuar që ajo të shqyrtohet me procedurë të shpejt. Mirëpo, bazuar në praktikën e deritashme të Gjykatës Kushtetuese, duket se kjo çështje nuk do të shqyrtohet edhe shumë shpejt, pasi duhet një afat kohor për interpretim.
Në një përgjigje dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zyrtarët nga Gjykata Kushtetuese thonë se pavarësisht kërkesave, janë ligjet me të cilët përcaktohen afatet e detyrueshme ligjore për vendimmarrje, të cilat edhe do të respektohen.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcaktojnë qartë rastet në të cilat Gjykata ka afate të detyrueshme ligjore për vendimmarrje, të cilat duhet respektuar. Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje”, ka thënë drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula.
Megjithatë, bazuar në praktikat e deritanishme me kërkesat institucionale që ngërthenin në vete situata më urgjente, koha minimale për vendimmarrjen e Gjykatës varion nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj.
E zyrtarët nga Kushtetuesja kanë lënë të kuptohet se përjashtim nga kjo praktikë dhe afat ligjor nuk do të ketë as në rastin e kërkesës së drejtuar nga Ramush Haradinaj.
“Kjo për arsye se, janë një sërë veprimesh procedurale që Gjykata tani duhet të ndërmarrë, si para shqyrtimit e po ashtu edhe pas shqyrtimit të lëndës, të cilat zbatohen me rigorozitet në çdo kërkesë të parashtruar”, ka thënë Dula për FaktePlus.
E ditë më parë njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu tha për FaktePlus se duhet pasur parasysh se parashtresat e drejtuar në Gjykatën Kushtetuese mund të marrin kohë për t’u trajtuar.
Por, ai theksoi se deri sa të kthehet një përgjigje dhe një sqarim nga Kushtetuesja, kabineti qeveritar tani nuk duhet të marrë vendime të mëdha, por duhet të vazhdojë të kryej punët teknike-administrative, për të mos u krijuar kështu vakum institucional.
Kujtojmë se Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të premten e kaluar, më 19 korrik, pasi që ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
E për sot Haradinaj ka paralajmëruar se i ka ftuar dhe pret të zhvillojë një takim me krerët e koalicionit qeverisës, si Kadri Veselin, Fatmir Limajn dhe Behgjet Pacollin, për të diskutuar lidhur me mundësitë e përshpejtimit të procedurave që qojnë vendin në zgjedhje./FaktePlus