Gjykata Kushtetuese: Thaçi nuk e shkeli Kushtetutën
Gjykata Kushtetuese iu është përgjigjur kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kishin pretenduar se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shkelur Kushtetutën e vendit, kur është deklaruar para mediave për situatën e COVID-19 dhe ishte kundër vendimit të qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Në komentet e Gjykatës Kushtetuese ndër të tjera thuhet se Presidenti ka qenë në tërësi në përputhje me fushëveprimin kushtetues dhe kompetencat e presidentit, veçanërisht duke pasur parasysh nenin 4 paragrafi 3, nenin 83 dhe nenin 84 paragrafi 2 të Kushtetutës.IndeksOnline ka siguruar ekskluzivisht të gjitha dokumentet në këtë rast dhe komentet të cilat i ka dhënë Gjykata Kushtetuese e të cilat janë që të gjitha në favor të presidentit Thaçi.
Gjykata po ashtu i është lutur Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani që këto përgjigje t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.Komente lidhur me Rastin KO56/20 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës:Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (parashtruesit e kërkesës), në kërkesën e tyre, në rastin KO56/20, pretendojnë që Presidenti i Republikës së Kosovës, ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në kuadër të argumenteve, në përgjigje të kërkesës në rastin KO56/20 duhet pasur parasysh rolin e Presidentit sipas Kushtetutës, si dhe kompetencat e tij që përcaktohen në nenin 84 si dhe në nenet tjera të Kushtetutës. Të gjitha këto nene paraqesin tërësinë e rolit që ka Presidenti në sistemin kushtetues të Kosovës, i bazuar para se gjithash në Kushtetutë, por edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese.Para se të komentohen pretendimet e parashtruesve të kërkesës në rastin KO56/20, si dhe deklaratat publike e Presidentit, në konferencën për media të datës 23.03.2020, të cilën parashtruesit e kërkesës pretendojnë se gjoja kjo deklaratë përbën shkelje serioze të Kushtetutës, duhet komentuar edhe veprimet paraprake të Presidentit, para mbajtjes së kësaj konference, po edhe vetë qëllimin e konferencës dhe deklaratave të dhëna nga presidenti.
Këtu duhet pasur parasysh rrjedhën e veprime të Presidentit si tërësi dhe jo vetëm një deklaratë të shkëputur nga konferenca për media që i referohen parashtruesit e kërkesës. Konferenca e Presidentit e mbajtur me datën 23.03.2020 dhe deklarimet e Presidentit gjatë kësaj konference kanë qenë në tërësi në përputhje me fushëveprimin kushtetues dhe kompetencat e presidenti, veçanërisht duke pasur parasysh nenin 4 paragrafi 3, nenin 83 dhe nenin 84 paragrafi 2 të Kushtetutës.Presidenti duke pasur parasysh se është përfaqësues i unitetit të popullit, i njëjti para gjithash duhet pasur parasysh interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe komunitetet jo shumicë, siç përcaktohen në Kushtetutë.Duke pasur parasysh interesin qytetar, pikërisht në kohën kur e gjithë bota po përballet me pandeminë COVID 19, Presidenti ka ndërmarrë veprime të rëndësishme me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve nga pandemia, por edhe më gjerë.