Gjykata godet përsëri Trumpin, nënpresidentit s’i lejohet refuzimi i rezultatit
Një gjykatës amerikan e ka refuzuar padinë e dorëzuar nga një kongresmen republikan, me të cilën kërkohej që nënpresidentit Mike Pence t’i lejohet refuzimi i rezultatit të votave në Kolegjin Zgjedhor, kur Kongresi të zhvillojë takim të mërkurën për certifikimin e fitores së Bidenit ndaj Trumpit.
Përpjekja më e re e aleatëve të presidentit në largim brenda Partisë Republikane për rrëzimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit u hodh poshtë nga një gjykatës që ishte caktuar në detyrë nga vetë Trumpi, Jeremy Kernodle.
Figurat që e paraqitën këtë rast në gjykatë thanë se do të ankohen për vendimin e marrë. Përfaqësuesi i Teksasit, Louie Gohmert, i cili ishte në mesin e parashtruesve të padisë, tha: “Ky vendim është shembull kur institucionet që kushtetuta jonë i ka krijuar për të zgjidhur mosmarrëveshje, në mënyrë që të mos kemi kryengritje dhe dhunë në rrugë, ato shkojnë në rrugën e gabuar”.
Trumpi ka refuzuar që ta pranojë humbjen në zgjedhje dhe vazhdimisht ka pretenduar pa fakte se gjatë garës ka pasur manipulime. Ai dhe aleatët e tij kanë humbur dhjetëra raste në gjykata në përpjekje për ta zhbërë rezultatin zgjedhor, i cili fitoren ia jep në mënyrë bindëse demokratit Joe Biden.
Sipas rezultatit të Kolegjit Zgjedhor, i cili përcaktohet në masë të madhe nga numri i përgjithshëm i votave popullore, Bideni ka 306 vota, ndërsa Trumpi vetëm 232. Joe Biden do të betohet në postin e presidentit të ri më 20 janar, shkruan The Guardian.