“Gjurmët” e Migjenit, nga kandidat për deputet në menaxher të rrjeteve sociale
Kryesia e re e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e saj të parë, ka zgjedhur dhe plotësuar strukturën e re drejtuese të partisë, duke emëruar nënkryetarët, sekretarin dhe një numër udhëheqësish të departamenteve sektoriale.
Në kuadër të këtyre emërimeve, Kryesi ka zgjedhur emra të rinj në strukturën e partisë, madje edhe një ish- kandidat për deputet që nuk mori vota të mjaftueshme për të fituar një ulëse në Kuvend, e mori një pozitë drejtuese në parti, shkruan FaktePlus.
Bëhet fjalë për publicistin e artistin, Migjen Kelmendi, i cili hyri edhe zyrtarisht në politikë, duke u anëtarësuar pak para mbajtjes së zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 në Partinë Demokratike të Kosovës.
Ai garoi për të fituar postin e deputetit, por nuk mori votat e mjaftueshme dhe mbeti jashtë institucioneve.
Mirëpo, PDK-ja nuk u la pa pozitë drejtuese Kelmendin në parti. PDK-ja e ka emëruar Kelmendin si udhëheqës i Departamentit për Media dhe Rrjete Sociale.
Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, Kelmendi i ka marrë vetëm 2 mijë e 662 vota.
Artisti, në muajin shtator ishte bërë pjesë e PDK-së, për të garuar më pas për pozitën e ligjvënësit
Madje edhe një ish- kandidat për deputetë i cili nuk mori vota të mjaftueshme u zgjodh në një post.
Është Xhavit Haliti, i cili u emërua si udhëheqës i Departamentit për Grupe të Interesit.
Kjo është lista e emërimeve të reja:
Uran Ismaili – Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së; Agim Aliu, nënkryetar; Shaqir Totaj, nënkryetar; Abelard Tahiri, Udhëheqës i Departamentit për Çështje Organizative; Betim Gjoshi, Udhëheqës i Departamentit për Çështje Elektorale; Blerand Stavileci, Drejtor Ekzekutiv i partisë; Hajredin Kuçi, udhëheqës i Departamentit për Politika Programore; Enver Hoxhaj, udhëheqës i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare; Elmi Reçica, udhëheqës i Departamentit për Çështje të Diasporës; Sami Lushtaku, udhëheqës i Departamentit për Vlera të Luftës; Xhavit Haliti, udhëheqës i Departamentit për Grupe të Interesit; Migjen Kelmendi, udhëheqës i Departamentit për Media dhe Rrjete Sociale; Muzafer Shala, udhëheqës i Departamentit për Rini dhe Inovacion; Safete Hadërgjonaj, udhëheqëse e Departamentit Financa dhe Anëtarësi; Bajrush Xhemajli, Udhëheqës i Departamentit për koordinim me deputetë, ekzekutivin dhe asamblistët; Blerta Deliu-Kodra, udhëheqëse e Departamentit Çështje Gjinore./FaktePlus