Gjunjëzimi karshi projektit të quajtur “Lugina e Diellit”
Institucionet e Kosovës duket se janë gjunjëzuar përballë projektit serb “Lugina e Diellit” në Zveçan, ku po ndërtohen pa leje rreth 300 shtëpi, për të cilin projekt Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) sa udhëhiqej një kohë nga Albena Reshitaj, kishte urdhëruar ndaljen e punimeve.
Krejt në “heshtje”, ky projekt ka nisur dhe po vazhdon punët intensivisht për ndërtimin e shtëpive ku pritet të vendosen rreth 1500 serbë.
E institucionet e Kosovës duket se janë gjunjëzuar përballë këtij projekti serb në Zveçan, ku po ndërtohen pa leje rreth 300 shtëpi.
Të vetmin kundërshtim për këtë projekt e pati bërë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) sa udhëhiqej një kohë nga Albena Reshitaj, e cila kishte urdhëruar ndaljen e punimeve.
Mirëpo, këtë urdhër nuk e përfillën autoritetet lokale në pjesën veriore, të cilat mandje morën hiç më pak se 25 milionë euro nga Serbia për të ndërtuar këtë lagje në teritorin e Zveçanit.
Krejt çka ka bërë në vazhdim MMPH në këtë rast ka qenë mbikëqyrja e inspektimeve në Drejtorinë e Urbanizimit, por që kjo e fundit nuk kishte qenë e gatshme që të prezantojë dokumentacionin teknik rreth ndërtimit të shtëpive në “Luginën e Diellit”.
Gjithçka mbeti në duart e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pasi që MMPH ka bërë inicim në këtë Gjykatë, kundër Komunës së Zveçanit.
Këshilltar i Lartë Politik i Ministrit, Valon Maliqi në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka hedhur gjithë fajin tek komuna.
“Komuna e Zveçanit është përgjegjëse për mos zbatimin e urdhëresës së dhënë nga inspektorati i MMPH-së,veprim i cili është shkelje e ligjit për inspektoratin e mjedisit, ujëra, natyrës, planifikimit hapësinor dhe ndërtimit Nr.04/L-175, për të cilin është bërë inicim në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kundër komunës së Zveçanit si person juridik dhe kundër Drejtoreshës të Urbanizmit të kësaj Komune si person përgjegjës”, tha Maliqi për FaktePlus.
E gjyqtarja e caktuar për rastin e projektit serb “Lugina e Diellit”, Nurije Shala, e kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus, për të marrrë një sqarim se pse nuk po veprohet për rastin në fjalë, një herë ka thënë se është e zënë me palë, por më pas nuk iu është përgjigjur telefonatave.
E për këtë projket të financuar nga Serbia ka pasur reagime të shumta, kurse KMDLNj e pati quajtur projekt të kolonizimit ndërtimin e 300 shtëpive në Zveçan.
Kurse të mllefosur me projektin e financuar nga Serbia, aktivistë nga Mitrovica edhe patën protestuar vite më parë, duke treguar aty ku nisi ndërtimi i 300 shtëpive të lagjes “Lugina e Diellit” në Zveçan, shumë shqiptarë kishin shtëpitë e tyre.
Kujtojmë se “Lugina e Diellit” ka nisur të ndërtohet në vitin 2016, në Komunën e Zveçanit e cila shtrihet në disa kodra që janë ngjitur me Mitrovicën e Veriut, dhe kanë një pamje të gjerë, që përfshin edhe Mitrovicën e Jugut. Zveçani shtrihet në mes të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviçit./FaktePlus