Gjukanoviq edhe sot do të vazhdojë vizitën në Kosovë
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq edhe sot do të vazhdojë vizitën në Kosovë. Në ditën e dytë të vizitës, presidenti Gjukanoviq do të vizitojë bazën e KFOR-it, do të mbajë një ligjëratë në Kolegjin AAB, nga i cili do të nderohet me Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut.
Po ashtu Gjukanoviq do të marrë pjesë në një takim Biznesit të organizuar nga Konsulli i Nderit i Malit të Zi në Kosovë, raporton RTKlive.
Ndryshe dje Presidenti Gjukanoviq ka pasur takim me liderët e Kosovës, ka shprehur gatishmërinë që Mali i Zi të ndihmojë Kosovën në të gjitha fushat. Ai ka konfirmuar se do të ketë dialog për ndonjë çështje të hapur me Kosovën, përfshirë edhe pikën e diskutueshme të rishikimit të demarkacionit, për të cilën kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq e konsideron të kryer.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq e ka lënë të hapur mundësinë e korrigjimit të kufirit Kosovë – Mali i Zi. Ai në një intervistë ekskluzive për RTK, ka thënë se marrëveshja për demarkacionin është arritur, por sipas tij ekziston mundësia që gjatë punës së Komisionit të Përbashkët në terren të korrigjohen disa gjëra.
Gjukanoviq ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë në opsion tërheqja e njohjes së Kosovës nga shteti i tij. Madje, ai ka thënë se vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës shteti malazez e ka marrë pas një analize si në aspektin juridik ashtu edhe në atë politikë.