Gjithçka që ndodhi brenda një muaji në luftën kundër COVID19
E gjithë bota po përballet me virusin COVID-19, ashtu edhe vendi ynë Kosova. Testimet filluan nga 08 shkurti 2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin e Kombëtar të Shëndetit Publik me metodën RT-PCR, por rastet e para u paraqitën me 13 mars.
Deri më tani janë testuar gjithsej 3,256 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 362 – me shtat raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, por edhe 59 të shëruar.
Më poshtë keni ecurinë ditë pas dite të detajuara, të shoqëruar me vizualizim të statistikave:
Më 13 mars, u konfirmuan dy rastet e para, një 77 vjeçar nga Vitia dhe një vajzë italiane 20 vjeçare, e cila punonte në Klinë me ‘Caritas Kosova’. Me këtë rast Qeveria e Kosovës vendosi të fus në karantine këto dy qytete, duke i bllokuar hyrjet dhe daljet.
Më 14 mars, erdhi edhe konfirmimi i rastit të tretë, një familjar i 77-vjeçarit nga Vitia doli pozitiv në testimet për COVID-19. Në të njëjtën ditë, u konfirmuan edhe dy raste, një 42 vjeçar nga Stublla e Vitisë dhe një grua 37 vjeçare nga Malisheva me vendqëndrim në fshatin Bubavec. Pas rastit të parë në Malishevë, kryeministri Albin Kurti vendosi që edhe kjo komunë të shkojë në karantinë.
Më 15 mars, katër raste me coronavirus u konfirmuan, tre nga Malisheva dhe një nga fshati Dumnicë i komunës së Podujevës. Pas këtyre rasteve Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës shpalli gjendje emergjente të shëndetit publik.
Më 16 mars, katër anëtarë të afërt të familjes së pacientit 77 vjeçar nga Vitia u testuan pozitiv. Më vonë dolën pozitiv edhe dy raste tjera, një çift që fluturuan me aeroplan nga Londra në Prishtinë, një mashkull dhe femër, të dy 26 vjeçar nga Prizreni dhe Obiliqi respektivisht.
Më 17 mars, një rast u konfirmua. Në grua 39 vjeçare nga Prishtina doli pozitive, ajo kishte ardhur një ditë më parë nga Londra në kryeqytet. Tre raste të reja u konfirmuan në të njëjtën ditë, një anëtar i familjes së personit të infektuar nga Dumnica e Podujevës, po ashtu një burrë (54 vjeç) dhe gruaja e tij (49 vjeçare) që erdhën me një fluturim nga Dusseldorfi i Gjermanisë dolën pozitiv, të dy nga Gjakova.
Më 18 mars, një rast i ri u konfirmua, 55 vjeçare nga Podujeva doli pozitive. Mbrëmja e kësaj dite ishte e parë që nuk u regjistrua asnjë rast.
Më 19 mars, u konfirmua një rast në Janjevë të Gjilanit, 46-vjeçari kishte fluturuar tetë ditë më parë nga Berlini i Gjermanisë për në Prishtinë.
Më 20 mars, erdhi konfirmimi për një rast të ri, ishte një 67 vjeçar nga fshati Llashkadrenoc i Malishevës që doli pozitiv. Dy raste të reja u konfirmuan në mbrëmje, një 53 vjeçare nga Suhareka dhe një 43 vjeçar nga Gjakova dolën pozitiv, të dy kanë pasur kontakte me të lartcekurit dhe kështu numri i rasteve pozitive në Kosovë shkoi 24.
Më 21 mars, edhe katër raste të reja. Një 32 vjeçar nga fshati Bibaj i Ferizajit, i cili më parë kishte ardhur nga Gjermania, ndërsa tre tjerët ishin raste kontakti; tre femra, dy nga Prishtina të moshës 29 vjeçare dhe 50, kurse 40 vjeçarja ishte nga Gjakova. Edhe dy raste tjera pozitive u konfirmuan në atë mbrëmje, një 20 vjeçar dhe një 36 vjeçare nga Gjilani.
Në orët e para të 22 marsit, u konfirmua edhe një rast, ishte një 31 vjeçar nga fshati Senik i Malishevës, i cili doli pozitiv. Po në këtë ditë u konfirmua edhe vdekja e parë nga COVID-19, ishte një 82-vjeçar nga Dumnica e Podujevës. Pacienti ka pasur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore (SPOK). Rasti në fjalë është kontakt nga djali i tij dhe vajza e tij pozitive. Në këtë ditë u konfirmuan edhe dy taste tjera pozitive, një 50 vjeçare nga fshati Vrapçiç i Gjilanit dhe një 53 vjeçar nga Damaneki i Malishevës.
Më 23 mars, u konfirmuan edhe dy raste, një 44 vjeçar nga Petrova e Shtimes, që ishte edhe rasti i parë në këtë komunë. I dyti ishte një 39 vjeçare nga Prishtina që doli pozitive. Për fat të keq në mbrëmje të kësaj dite u konfirmuan edhe 26 raste: 14 nga Malisheva, 11 nga Gjilani dhe një nga Gjakova, duke e shkuar kështu në 61 numri i të infektuarave në Kosovë me COVID-19.
Më 24 mars, u konfirmuan edhe dy raste të reja, një 25 vjeçare nga Vrapçiç i Gjilanit dhe një 73 vjeçare nga Studime e Ulët e Vushtrrisë, e cila ditë më parë kishte ardhur nga Norvegjia, duke u bërë kështu rasti i parë pozitiv me COVID-19 në komunën e Vushtrrisë.
Më 25 mars, tetë raste të reja u konfirmuan: Katër nga fshati Damanek i Malishevës, tre nga Prishtina dhe një nga fshati Studime e Ulët i Vushtrrisë. Të gjithë këta ishin në kontakt me personat që më herët dolën pozitiv në këto fshatra dhe komuna. Numri i të prekurve me këtë coronavirus shkoi në 71.
Më 26 mars, u shënua edhe personi i parë i shëruar, djali i viktimës së parë doli negativ edhe në testin e dytë. Pak minuta më vonë nga IKShPK konfirmoi katër raste pozitive nga Studime e Ulët e Vushtrrisë, tre nga Prishtina, dhe një nga fshati Llugaxhi i Pejës, por në natën e kësaj dite erdhën edhe shtatë raste të reja pozitive nga Malisheva. Numri i personave të infektuar në Kosovë kapi shifrën 86.
Më 27 mars, dy raste u konfirmuan në mbrëmje, një nga Gjakova dhe një nga Prishtina.
Më 28 mars, u konfirmuan edhe dy raste me COVID-19, një nga Podujeva një nga Prishtina. Më vonë u konfirmua edhe i treti, edhe ky nga Prishtina, të gjitha këto ishin raste kontakti.
Më 29 mars, dy raste pozitive u konfirmuan nga Prishtina dhe një nga Kjeva e Malishevës, kështu numri i rasteve në Kosovës shkoi në 94.
Më 30 mars, 12 raste me coronavirus u konfirmuan: Pesë nga Malisheva, tre nga Fushë Kosova, dy nga Prishtina, një nga Mitrovica (më vonë u konfirmua se ishte nga Mitrovica e Veriut) dhe një nga Kamenica. Numri i personave pozitiv me COVID-19 shkoi në 106.
Më 31 mars, dy raste të reja u konfirmuan, një nga Gjakova që ishte kontakt i dy familjarëve të rezultuar pozitiv dhe pacienti i dytë pozitiv nga Prizreni është infektuar jashtë shtetit. Po në këtë ditë u konfirmuan se pesë persona janë shëruar, edhe katër tjerë janë infektuar: dy nga ata me pozitiv nga Mitrovica e Veriut, një nga Vushtrria dhe një nga Malisheva.
Më 1 prill, katër persona u shëruar dhe 13 tjerë u infektuan: 11 nga ata që dolën pozitiv janë nga fshati Topanicë i Kamenicës, një nga Prishtina dhe një nga Gjakova.
Më 2 prill, një grua nga Korisha e Prizrenit doli pozitive. Ministria e Shëndetësisë menjëherë e futi fshatin në karantinë duke bllokuar hyrjet dhe daljet. Vlen të theksohet se në testimet e pasdites nuk kishe asnjë rast pozitiv.
Më 3 prill, gashtë persona u shëruar, por edhe gjashtë tjerë u infektuan. Katër nga të infektuarit ishin nga fshati Llugagji i Pejës, një me vendbanim në Pejë dhe një i karantinuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Më 4 prill, dy raste të reja u konfirmuan në Mitrovicën e Veritu. Në këtë ditë më vonë u konfirmuan se shtatë persona janë shëruar dhe pesë të tjerë janë infektuar. Dy prej atyre që dolën pozitiv vijnë nga Banja e Malishevës, një nga Prishtina, një nga Smrekonicë e Vushtrrisë dhe një i karantinuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Më 5 prill, pesë raste me COVID-19 janë konfirmuar: tre nga fshati Banjë e Malishevës një nga Gjakova dhe një nga fshati Smrekonicë e Vushtriës, të gjitha këto ishin raste kontakti. Numri total i të infektuarve tani numëron 145.
Më 6 prill, dy vdekje u konfirmuan, një nga Prishtina dhe një nga fshati Banjë e Malishevës. Në këtë ditë u konfirmuan edhe 20 raste pozitive me coronavirus: 15 nga Banja e Malishevës, dy nga Malisheva, një nga Bllaca e Suharekës, një nga Drenasi dhe një nga Prishtina. Në total 165 raste në gjithë Kosovën.
Më 7 prill, një 65 vjeçar nga Ferizaj vdiq nga arresti kardiak, por gjithashtu rezultoi pozitiv në COVID-19. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjithsej (19) prej tyre kanë rezultuar pozitive (në tre turne testimi). Rastet pozitive janë raste kontakti, tetë prej tyre me vendbanim në Smrekonicë të Vushtrrisë, tre me vendbanim në Prishtinë, dy me vendbanim në Senik të Malishevës dhe me nga një rast nga vendbanimet në Llashkadrenovc të Malishevës, Sazli të Ferizaj, Ujmir të Klinës, Gjakovë, Gjilan, Topanicë e Kamenicës.
Më 8 prill, një tjetër vdekje u konfirmua (Banjë e Malishevës, një 66 vjeçare), duke shkuar në total tetë. 14 raste pozitive gjithashtu u konfirmuan, të gjitha raste kontakti: Katër prej tyre me vendbanim në Smrekonicë të Vushtrrisë, dy në Banjë të Malishevës, dy në Prishtinë, dy në Mitrovicë të Veriut dhe me nga një rast në vendbanimet Bllacë të Suharekës, Gjurgjevik të Klinës, Krojmir të Lipjanit dhe Zveçan. Ne total 224 raste, pasi janë përditësuara për të gjitha komunat në Republikën e Kosovës. Po ashtu u njoftua se janë shëruar edhe shtatë raste të tjera, gjithsej 37.
Më 9 prill, tre raste të reja u konfirmuan: Rastet pozitive janë raste kontakti, një rast me vendbanim nga Suhareka, një rast me vendbanim nga Prishtinë, një rast me vendbanim nga Leshaki në Leposaviq. Një vdekje u konfirmua, totali shtatë, por edhe një shërim, gjithsej 38.
Më 10 prill, 23 raste u konfirmuan: Rastet pozitive janë raste kontakti, tetëmbëdhjetë raste nga komuna Ferizaj (tetë Sazli, tre qytet Ferizaj, dy Mirash, një Varosh, një Greme, një Talinovc i Muhaxherëve, një Neredime dhe një Lloshkobare), dy raste Viti, një rast Hani i Elezit, një rast Prizren dhe një rast Prishtinë. Në total 250 të infektuar, por edhe 14 të shëruar të tjerë.
Më 11 prill, 33 raste të reja: 20 raste me vendbanim në Prishtinë, tre me vendbanim në Prizren, tre rast në vendbanimet Viti, dy me vendbanim në Mitrovicë të Veriut, dy me vendbanim në Skenderaj dhe nga një në Suharekë, Zubin Potok dhe Zveçan: Në total 283 të infektuar. Por, edhe gjashtë raste të reja të atyre që u shëruan iu shtuan listës totale prej 58 personave.
Më 12 prill, 79 raste pozitive me COVID-19, të gjitha këto raste kontakti: 35 prej tyre nga komuna e Ferizajt (sipas vendbanimeve në qytetin e Ferizajt 12 raste, Greme tetë raste, Mirash shtatë raste, Lloshkobare katër raste, Slivovë dy raste, Neredime një rast dhe Manastirc një rast), 16 raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit dhjetë Prizren dhe gjashtë Skorobisht), Han të Elezit gjashtë raste, nga komuna e Vitisë gjashtë raste (fshatin Ramjan katër raste, Pozharan dy raste), nga komuna e Gjilanit tri raste (sipas vendbanimit dy raste Gjilan dhe një rast Lladovë), nga komuna e Malishevës dy raste (sipas vendbanimit: Malishevë një rast dhe Banjë një rast), nga komuna e Vushtrrisë dy raste (sipas vendbanimit: Vushtrri një rast dhe Pestovë një rast), dhe me nga një rast vendbanimet: Burojë-Skenderaj, Qabiq-Klinë, Kramovik-Rahovec, Fushë Kosovë, Istog, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Hodonovc-Kamenicë. Sot është shëruar edhe një pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarave deri më sot është gjithsej 59.
Në total: 362 raste, shtatë të vdekur dhe 59 të shëruar.
Komunat më të prekura: Malisheva 68, Ferizaj 55, Prishtina 47, Mitrovica e Veriut 23, Prizreni 23, Vushtrria 23, Gjilani 21, Vitia 18, Kamencia, 11, Zveqani 11.
Valbon Krasniqi, Infektolog në Klinikën Infektive QKUK
“Që nga dita e parë kur janë paraqitur rastet kanë qenë të hospitalizuar 80 pacientë. Në Klinikën Infektive janë 128 shtretër, kemi arritur të menaxhojmë situatën. Po ashtu është përgatitur edhe Klinika e Pulmologjisë, ku janë rreth 130 shtretër. Deri më tani nuk ka pasur nevojë të shfrytëzojmë klinikat tjera, përderisa nuk mbushet Klinika Infektive ne do t’i trajtojmë këtu pacientët.
Kemi terapi të mjaftueshme dhe jemi duke aplikuar protokollin që po e aplikojnë shumica e vendeve në botë. Është vështirë të thuhet se sa do të zgjasë kjo pandemi, por mesi i prillit do të jetë vendimtar, e nga fillimi i majit të kemi rënie të të infektuarve, por kjo varet nga qytetarët se sa i respektojnë masat e institucioneve”.
Naser Ramadani, Drejtor i Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës
“Ne po ballafaqohemi intensivisht duke diagnostikuar dhe duke gjurmuar në terren të gjitha rastet që kanë të bëjnë me COVID-19. Ne jemi të përgatitur, por ju na ndihmoni shumë duke qëndruar në shtëpi”.
Lul Raka, mikrobiolog
“Numri i sotëm 79 dhe numrat pasues ditorë dyshifrorë na tregojnë së ndodhemi në udhëkryq të betejës me koronavirusin. Tashmë, këta numra do të ndikojnë më shumë në “RRI N’SHPI” sesa mesazhet tona njëmujore”.
Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë
“Sot jemi duke luftuar me një armik të padukshëm, sot më shumë se kurrë duhet të bashkëpunojmë ta mbrojë shëndetin publik. Deri më sot kemi dëshmuar vetëdijen kolektive për të cilën ju jemi mirënjohës, mirëpo jo mjaftueshëm. Një pakujdesi e vogël tani na kushton me humbje të madhe jete. Sëmundja COVID-19 gjatë javëve në vazhdim do të hyjë në fazën e saj kulminante të saj, ne iu falënderojmë shumë për bashkëpunimin e deritanishëm, por kjo nuk mjafton. Të vazhdojmë koordinimin dhe ta parandalojmë përhapjen. Nga respektimi i rekomandimeve, nga masat që i kemi marrë dhe po i marrim dhe mbi të gjitha nga kujdesi dhe bashkëpunimi juaj varen jetët tona”.
Klina dhe Malisheva ishin disa nga komunat e para të prekura, në Klinë përkundër kësaj ka pak raste, por jo edhe në Malishevë.
Hekuran Sejidu, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Klinë
“Ne në Klinë e kemi gjendjen stabile, nën kontroll. Nuk kemi ndonjë rast, e kemi pasur një dhe është shëruar. Një infermiere që punën në Klinikën Infektive në QKUK është nga një fshat i Klinës ka dalë pozitive por ajo jeton atje në Prishtinë, ne kemi dal kemi testuar njerëzit e saj dhe nuk paraqet rrezik. Një rast tjetër që ka dalë pozitiv ai ka qenë në karantinë dhe nuk ka pasur fare kontakt me qytetarët në Klinë. Qytetarët po tregohen të kujdesshëm. Ne nuk guxojmë të krijojmë komoditet sepse mund të depërtoj ndonjë qytetarë nga vendet tjera, por ne jemi të gatshëm të veprojmë në çdo situatë”.
Hajdin Berisha, nënkryetar i Komunës së Malishevës.
“Gjendja në Malishevë është e qetë, kemi 66 raste të konfirmuara deri tani, prej tyre 15 janë shëruar kurse një ka përfunduar me fatalitet. Qytetarët po respektojnë kufizimin e lëvizjes.
Ne po mundohemi ta menaxhojmë situatën, nuk kemi krizë të ushqimeve, kemi pasur donacione të ndryshme. Jemi duke punuar 24 orë shtabi emergjent dhe qendra e mjekësisë familjare.
Mesazhi për qytetarët është të qëndrojnë në shtëpi, dhe kur dalin të mbajnë distancë sociale dhe të vendosin dorëzat e maskën”.
Gjatë kësaj kohe Qeveria e Kosovës ka marrë edhe shumë vendime, të cilat mund t’i gjeni të përmbledhura këtu.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia Foto: kryeministri-ks.net
Fillimisht me 9 mars, u anuluan fluturimet nga Italia e Veriut, një ditë më vonë Qeveria ndau 10 milionë euro për Planin e veprimit. Me 11 mars, u morën një mori veprimesh, në mesin e tyre ndërprerja e mësimit, pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor. Me 13 mars mbyllen kafeteritë dhe qendrat tregtare, FFK pezulloi të gjitha aktivitet sportive, ndalohen hyrjet daljet në Viti dhe Klinë. Me 15 mars, Qeveria shpall gjendje emergjente të shëndetit publik, kurse me 16 mars pensionistët nuk janë të obliguar të lajmërohen në qendrat për vazhdimin e pensionit, shtyhet afati për pagesën e Tatimit në Pronë. Me 18 mars, Qendra e Studentëve në Prishtinë caktohet si hapësirë karantine dhe kushdo që futet do të qëndrojë këtu për dy javë, MSh shpall ndalesa të reja për institucionet shëndetësore për shkak të Covid-19. Me 21 mars, mbyllen të gjitha parqet në Kosovë, kryeministri Kurti njoftoi se familjet me asistencë sociale do të marrin ndihma për dy muaj, njëra u falet përfituesve. 23 mars, Qeveria me masa të reja ndaj COVID-19, kufizohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve. 24 mars, Lirohen përkohësisht nga pagesa e TVSH-së të gjitha importet e grurit dhe miellit për prodhimin e bukës. 26 mars, Vazhdohet afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit për shtetasit e vendit si dhe afati i leje qëndrimit për shtetasit e huaj, ndërprerja e procesit edukativo-arsimor vazhdon deri në një vendim tjetër. 27 mars, Qeveria ndihmon kompanitë në mbulimin e pagave të punëtorëve për dy muaj – në masën e pagës minimale prej 170 euro. 30 mars, qeveria miratoi Pakon Emergjente Fiskale. 5 prill, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve vazhdon deri më 12 prill. 9 prill, Ministria e Shëndetësisë me orar të ri të lëvizjes për tri komuna të Kosovës.