Gjinovci: Opsioni i Haradinajt për universitetet, improvizim për arsye elektoral
Rron Gjinovci nga ORCA ka paralajmëruar secilin zyrtarë të Qeverisë së Kosovës se do të ndiqen penalisht nëse nisin veprime të kundërligjshme pas vendimit të KSHC-së lidhur me mosakreditimin e tri universiteteve publike.
Gjinovci në Info Magazine, deklaroi se të gjitha reagimet e bëra nga kryeministri Ramush Haradinaj, janë vetëm improvizime të cilat po i bënë për arsye elektorale.
”Ne jemi duke e monitoruar punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë”.
”KSHC ka pritur që të vijnë edhe vendimet e institucioneve të tjera. Dje është marrë vendim për mosakreditim të tri universiteteve publike dhe gjashtë private. Heqja e akreditimit do të thotë pamundësia e regjistrimit të studentëve apo pranimit të tyre në këto universitete për këtë vit, përndryshe puna në to vazhdon”.
”Kryeministri Haradinaj bashkë me politikanët tjerë është përgjegjës për familjet e varfra në Kosovë. Opsioni i Haradinajt është improvizim dhe po e bënë për arsye elektorale, sepse po ta kishte përnjëmend ai do të ofronte bursa për këta studentë dhe do t’ju mundësonte studimet në Universitetin e Prishtinës”.
”Nuk është e vërtetë ajo që po thotë zotriu, ekspertët kanë rekomanduar që të mos akreditohen për një vit. Nuk mund të shkosh e të thuash se kemi traditë 70 vjeçare, ai të thotë cilat kritere i keni plotësuar? Të gjitha universitetet publike kanë mundësi t’i plotësojnë këto standard.
”KSHC edhe po të donte nuk do mundte të merrte vendim tjetër sepse do të ishte përballë edhe nga Prokuroria etj. Jemi duke folur për tre profesorë ndërkombëtarë: një amerikan, një polake dhe një britanik. Kryeministri Ramush Haradinaj duhet t’i sqarojë lidhjet e tij me universitetet private. Ai e ka pretekst me për tu shkatërruar agjencia. Sepse kjo që ka bërë kryeministri, agjencia ka pësuar shumë degradim”.
Rron Gjinovci po ashtu pohoi se ka arsye se pse po ndodhë i gjithë ky reagim lidhur me mosakreditimin e univeresiteteve siç janë ai i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, njofton Klan Kosova.
”Qëllimi i politikanëve është të përjashtohet ajo prej ENCA-s, dhe të mos mund të kontrollohen më universitetet apo kolegjet private. Sa i përket universiteteve publike, ato duan ta arsyetojnë veten e tyre. Për shkak që kanë kopjuar dokumentit nga një universitet tjetër, kanë harruar t’ja ndërrojnë titullin e universitetit nga i cili është marrë materiali. Po flasim për një papërgjegjësi institucionale”.
”Me faktin se agjencia e Kosovës është në ENCA, ekspertët duhet të jenë ndërkombëtarë. Është procedura ankimore që është e pamundshme për të dëshmuar ata dicka përtej asaj. Ata mund të ankohen për procedurë, jo për përmbajtje. Zgjidhja jonë është me adresuar problemin, s’ka asnjë nga Qeveria që merret me këtë problem. Askush nuk i merr për t’i analizuar këto probleme se si erdhëm deri këtu”.
”Ky është improvizim, sic ka qenë arsimi i lartë deri tani. Ka pasur vende pa fund për studim pa asnjë kriter. Kjo qeveri dhe ky lloj i mendimit i merr në qafë studentat. E dijnë të gjithë që hapja e këtyre univeresitetve ka qenë gabim. Hashim Thaçi ka shku në secilën mahallë dhe iu ka premtu hapje të universiteteve, dhe ky është produkti. Unë nuk jam pesimist me mendu që s’mund të bëhet mirë. Problemi është që duhet të punohet më shumë në cilësi”.
”Ne kemi problem në kombëtar dhe duhet ta adresojmë përmes Agjencisë së Akreditimit. Nëse shkojmë me këso improvizime, mund të hapim sa të doni universitete dhe tu themi se krejt jeni me diploma por s’janë. Në rast se ndërhyjnë në punën e akreditimit, skandale të tipit, me ua vazhdu akreditimin dhe nuk ndjek rrugët institucionale, unë paralajmëroj se do të përballen me kallëzime penale për keqpërdorime të detyrës zyrtare”.
”Kryeministri [Ramush Haradinaj] ka thënë se do të marrë veprime të menjëhershme. Nëse ai e provon një gjë të tillë jemi shumë të interesuar që ta padisim dhe ta ndjekim penalisht për keqpërdorim të pozitës zyrtare”.