Gjilani dhe Ministria e Mbrojtjes kurrqysh të merren vesh për 7 hektarë tokë
Qeveria e Kosovës në muajin dhjetor të vitit 2017 e pati miratuar kërkesën e Komunës së Gjilanit për ndarjen e një parcele 7 hektarëshe që të ndërtohej Kampusi Universitar “Kadri Zeka”.
Mirëpo pas miratimit nga ekzekutivi, kjo parcelë toke është bërë mollë sherri mes Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pasi që FSK qysh nga viti 2009 ka të vendosur në atë hapësirë kazermën, e ku vepron Batalionin i Tretë i Brigadës – Reagimi i shpejtë.
Kështu që nga kjo kohë, pasi kanë kaluar mbi një vit e gjysmë, Komuna e Ministria nuk po mund të merren vesh.
Edhe pse në Komunën e Gjilanit thonë se janë në diskutim me Ministrinë e Mbrojtjes, për të gjetur një zgjidhje, të njëjtën gjë nuk e thonë në ministri.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se nuk ka ndonjë ndryshim dhe se FSK po vazhdon investimet e planifikuara në infrastrukturë në këtë kazermë.
“Për këtë çështje nuk ka asnjë ndryshim. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK vazhdojnë me investimet e planifikuara në infrastrukturë në kazermën e FSK-së në Gjilan”, ka thënë Shala.
Ndërkaq, i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri tha për FaktePlus se për këtë janë duke zhvilluar takime me Ministrinë e Mbrojtjes, Rrustem Berisha.
Haziri thekson se kjo çështje do të zgjidhjet së shpejti me anë të formimit të Komisionit të përbashkët të Komunës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
“Përkitazi me këtë çështje, unë kam zhvilluar disa takime me ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha. Besojmë që së shpejti do të zgjidhet kjo çështje me anë formimit të Komisionit të përbashkët të Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, ka thënë ai.
Megjithkëtë, kryetari Haziri potencon se kampusi do të jetë me infrastrukturë dhe kushte të nivelit më të lartës sipas standardeve evropiane.
“Kampusi me 7.2 hektarë tokë do të jetë me infrastrukturë dhe kushte të nivelit më të lartë sipas standardeve evropiane. Kapaciteti i tij do të jetë për mbi 16 mijë studentë, staf akademik, personel, staf përcjellës etj. Do të jetë një qendër e madhe moderne që do të ketë kapacitete të plota universitare për studime të mirëfillta dhe për nxënie të dije”, thuhet në përgjigjen e Hazirit.
Tani Kampusi Universitar “Kadri Zeka” gjendet tek kompleksi i shkollave të mesme në Gjilan, që ka zënë objektin e shkollave të mesme, duke bërë kështu që shkollat të mos kenë hapësirë të mjaftueshme.
Ndërkaq, gjithë projekti për ndërtimin e Kampusit Universitar “Kadri Zeka” në Gjilan do të kushtojë afër 2 milionë euro (1 milion e 800 mijë).
Për këtë projekt, në vitin në 2017 janë ndarë 500 mijë euro, po ashtu dhe vitin 2018-të ishin ndarë 500 mijë euro. Kurse 2019 parashihet të ndahen 800 mijë euro.
Kujtojmë që menjëherë pas mbledhjes së 19-të të Qeverisë së Kosovës në të cilën mbledhje u miratua vendimi për ndarjen e parcelës ku do të ndërtohet Kampusi Universitar “Kadri Zeka” e pati mbështetur zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.
Madje, zv.ministri Kadriu përmes një postimi në Facebook pati thënë që vendi nga ai vjen, pra, Gjilani, gradualisht po shndërrohet në një qendër me standarde evropiane dhe joshëse për t’u vizituar.
Të nderuar qytetarë të Anamoravës,
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, ka miratuar vendimin për ndarjen e parcelës për Kampusin e Universitetit Publik të Gjilanit, “Kadri Zeka”, në përputhje me Planin Rregullues Urban i cili është miratuar nga Kuvendi i komunës së Gjilanit në vitin 2013. Gjilani gradualisht do të shndërrohet në një qendër me standarde evropiane dhe joshëse për tu vizituar. Qeveria Haradinaj e ka përnime; Anamorava fuqishëm prezente në programin katërvjeçarë”, kishte shkruar Kadriu./FaktePlus