Gjesti i kombëtares së Serbisë – reagon ministri i Sportit: Presim veprime konkrete nga FIFA
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar në lidhje me veprimin josportiv të kombëtares së Serbisë para ndeshjes ndaj Brazilit.
Siç dihet, në zhveshtoren e ekipit serb ishte i pranishëm një flamur që mbante hartën e Kosovës nën ngjyrat serbe.
Përkitazi me këtë situatë, Çeku kërkon veprime konkrete nga FIFA dhe këtë mesazh të kombëtares serbe e quan ksenofobik e gjenocidial.
Më poshtë gjeni postimin e tij në Twitter.
“Imazhe të turpshme nga dhoma e zhveshjes së #Serbisë, duke shfaqur mesazhe urrejtjeje, ksenofobike dhe gjenocidale ndaj #Kosovës, duke shfrytëzuar platformën #FIFAWorldCup.
Presim veprime konkrete nga FIFA duke pasur parasysh se FFK është një anëtar i plotë i FIFA-s dhe UEFA-s”, përfundoi ai.
Pak minuta më parë edhe FFK njoftoi se e ka dorëzuar një ankesë në lidhje me këtë çështje dhe po pret shqyrtim nga FIFA.