Gjermania reagon me shqetësim pasi Erdogani ia dëboi ambasadorin
Gjermania shprehu shqetësimin e saj pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan urdhëroi dëbimin e dhjetë ambasadorëve perëndimorë.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stephen Seibert tha se Berlini nuk mori një deklaratë zyrtare nga Ankaraja, por se “me shqetësim” e mori parasysh deklaratën e presidentit turk.
Erdogan urdhëroi ambasadorët e 10 vendeve, përfshirë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Gjermanisë, të shpallen non grata sa më shpejt të jetë e mundur, pas një kërkese të tyre lidhur me çështjen e biznesmenit dhe filantropit turk, Osman Kavala, i cili po mbahet në burg.
Kanadaja, Franca, Finlanda, Danimarka, Gjermania, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një “zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes”.
Autoritetet turke i kanë ftuar për bisedime ambasadorët e këtyre dhjetë vendeve.
Kavala, 64 vjeç, një botues dhe patron që ka qenë në burg për katër vjet pa gjyq, u akuzua se donte ta destabilizonte shtetin.
Ai mbështeti protestat antiqeveritare në vitin 2013 dhe në vitin 2016 u akuzua për përpjekje për ta rrëzuar qeverinë gjatë grushti të dështuar të shtetit.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut urdhëroi në dhjetor të vitit 2019 që Kavala të lirohej.