Gjermania përgatitet për masa më të rrepta para Krishtlindjes
Ministrat dhe udhëheqësit rajonalë në Gjermani kanë thënë se vendi do të jetë i detyruar të vendosë kufizime më të rrepta para Krishtlindjes për ta vënë nën kontroll pandeminë. Rajoni i Baden-Wuerttembergut vendosi orë policore gjatë natës për shkak të shtimit të rasteve.
Gjermania ka qenë në izolim të pjesshëm për gjashtë javë. Restorantet dhe baret kanë qenë të mbyllura, por dyqanet dhe shkollat kanë qenë të hapura, shkruan Reuters.
Disa rajone tashmë kanë vendosur masa më të rrepta dhe gjithnjë e më shumë liderë po e përkrahin idenë e izolimit mbarëkombëtar për shkak të shifrave rekorde të infektimeve dhe viktimave.
Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, tha se Gjermania ka nevojë për izolim të rreptë para Krishtlindjeve, nëse dëshiron që ta ngadalësojë përhapjen e virusit.
Për më tepër, ministrat e Ekonomisë dhe Shëndetësisë thanë se afati i masave ekzistuese duhet të zgjatet.
“Kjo do të çojë në një izolim që është në shumë mënyra i ngjashëm me atë që ndodhi në pjesën e hershme të vitit”, tha ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, gjatë një konference virtuale për gazetarë.
Ekonomia më e madhe e Evropës ishte më e suksesshme se vendet tjera evropiane në menaxhimin e situatës gjatë valës së parë të pandemisë në mars dhe prill, por muajve të fundit është përballur me rritje të vazhdueshme të rasteve.