Gjermania përballet me rritje të rasteve me Omicron
Gjermania po përballet me rritje të rasteve me koronavirus pavarësisht se më shumë se gjysma e popullsisë është imunizuar me dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.
Rastet janë rritur shumë në Gjermani, veçanërisht në Berlin, që ka shënuar numrin më të madh të rasteve në 100,000 banorë në shtatë ditë.
Instituti për kontrollin e sëmundjeve, Robert Koch tha se në Berlin shkalla e incidencës brenda shtatë ditëve ishte 1,473. Në Gjermani, 41.7 milionë banorë nga popullsia prej 82 milionë banorësh, sipas këtij instituti, janë imunizuar me dozën përforcuese.
Qeveria gjermane tha se situata në njësitë e kujdesit intensiv ishte nën kontroll dhe 16 për qind e shtretërve spitalorë aktualisht janë të zënë me pacientë të prekur me sëmundjen COVID-19. Megjithatë, spitalet gjermane shpejt do të përballen me numër të madh të pacientëve për shkak të valës së shkaktuar nga varianti Omicron i koronavirusit, tha virologu Oliver Keppler.
“Unë mendoj se klasifikimi i shpeshtë i Omicronit si variant i ‘butë’ do të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm”, tha Keppler për dpa.
Situata në Gjermani është e vështirë për shkak të moshës mesatare të vendit, që është e lartë, por edhe numrit të njerëzve të pavaksinuar, tha Keppler.
Mijëra gjermanë kundërshtuan masat e vendosura për ta frenuar koronavirusin dhe vaksinimin e detyrueshëm dhe më 22 janar u protestuan në mbarë vendin.
Mbi 7,500 persona protestuan në Dyseldorf tha policia dhe afro 2,300 persona dolën në rrugët e Regensburg, ku dolën edhe qytetarë të tjerë që tentuan ta prishnin protestën e qytetarëve që kundërshtonin masat. Tre protestues u ndaluan. Ndërkaq, mbi 1,000 qytetarë protestuan në mënyrë paqësore në Shtutgard dhe protestuesit u ndalën para transmetuesit publik, duke kritikuar mbulimin mediatik të pandemisë.
Në Zelandën e Re, që është një prej shteteve të pakta që ka shmangur shpërthimet me Omicron, kryeministrja Jacida Ardern pranoi se do të jetë e pamundur që të shmanget përhapja e këtij varianti, për shkak të transmetueshmërisë së lartë.
Ajo njoftoi se nga 23 janari në Zelandën e Re do të aplikohen masa të reja, pasi janë regjistruar nëntë raste me Omicron në një familje që kishte udhëtuar nga jashtë vendit për të marrë pjesë në një dasmë.
Në masat e reja do të përfshihet mbajtja e maskave gjatë përdorimit të transportit publik dhe në dyqane si dhe kufizim të tubimeve, por Ardern tha se nuk do të ketë izolim, duke shtuar se bizneset mund të hapen dhe njerëzit mund të vizitojnë familjarët e miqtë dhe mund të lëvizin lirshëm në mbarë vendin.
Masat e reja në Zelandën e Re do të jenë në fuqi të paktën deri në fund të muajit të ardhshëm.
Ardern po ashtu njoftoi se për shkak të Omicronit, ajo dhe partneri i saj Clark Gayford kanë anuluar planet për dasmën e tyre