Gjermania ndryshon ligjin për mbrojtjen nga infektimet
Bundestagu dhe Këshilli Federal duan të vendosin mbi bazë më të sigurtë ligjore masat që merren në kuadër të pandemisë. Projektligji është i kontestuar. Kundërshtarët e politikës së Coronës kanë paralajmëruar protesta.
Bundestagu këshillohet këtë të mërkurë për të marrë një vendim mbi reformën e ligjit të mbrojtjes nga pandemitë. Me rregulloret e reja duhet që masat e marra për mbrojtjen nga pandemia të vendosen mbi një bazë të sigurtë ligjore. Me këtë projektligj lidhen edhe rregullore si detyrimi për argumentimin e masave dhe ajo e kufizimit kohor të tyre. Mbasditen e së mërkurës për këtë ligj të koalicionit të Unionit CDU/CSU dhe SPD debaton edhe Këshilli Federal.
Ligji për mbrojtjen nga pandemitë është reformuar disa herë me fillimin e pandemisë së Coronës. Ndër të tjera është futur edhe klauzola, se Bundestagu duhet të përcaktojë dhe heqë gjendjen epidemike me përmasa kombëtare. Nëse një gjë e tillë vendoset nga Bundestagu, si në pranverë në parlament, atëherë Ministria e Shëndetësisë merr kompetenca të posaçme për të lëshuar dekrete ligjore, pa qenë nevoja që të vendosë Këshilli Federal.
Me reformën që diskutohet të mërkurën, rregullohen me ligj edhe detaje të tjera. Ndër të tjera parashikohet një paragraf i përcaktuar si 28a, që përshkruan me imtësi, se cilat masat mund të merren nga landet dhe autoritetet e tjera kundër virusit të Coronës. Këtu futen kufizimet e kontakteve, vendosja e rregullit të distancës, detyrimi për maskë në ambientet publike, mbyllja e dyqaneve apo anulimi i evenimenteve – të gjitha masa që u morën në kuadër të pandemisë.
“Kufizime të forta në të drejtat themelore”
Opozita gjermae, shoqatat e ekonomisë dhe juristët e kritikojnë këtë ligj. Ata shohin aty kufizime të forta të të drejtave bazë dhe kërkojnë më shumë të drejtë fjale të parlamenteve (edhe të landeve) për masat e Coronës. Kryetarja e partisë e E Majta, Katja Kipping u shpreh, se projektligji i qeverisë vazhdon përqëndrimin e fuqisë vendimmarrëse në selinë e ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn. E Majta nuk do ta miratojë këtë projektligj, sipas të dhënave të saj. Edhe partia liberale, FDP e refuzon këtë projektligj. “Për ne hapësira e veprimit të qeverisë në ndërhyrjen që bën tek të drejtat bazë është si edhe më parë shumë e madhe”, u shpreh kreu i liberalëve, Christian Lindner.
Kundër politikës së qeverisë e landeve kanë bërë thirrje për protesta kundërshtarët e masave të Coronës. Policia është duke u përgatitur për demonstrata, me gjasë edhe protesta të dhunshme. Ministria e Punëve të Brendshme nuk lejoi protestat direkt para Bundestagut dhe Këshillit Federal. Mohuesit e Coronës e krahasojnë ligjin për mbrojtjen nga pandemitë me ligjin e vetëfuqizimit (ligji i vitit 1933, ku Rajshtagu shfuqizoi vetveten dhe i dha Hitlerit mundësinë për të marrë vendime e lëshuar ligje duke i dhënë kështu pushtet të plotë nazistëve e forcuar diktaturën nacionalsocialiste, shën.red.)
Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil shkroi. “Ligji i vetëfuqizimit? Njerëz, nuk e keni seriozisht apo jo?” Kurse kreu i degës së landit, CSU, Andreas Dobrindt foli për një gënjeshtër keqdashëse, nëse kritikët ligjin e qeverisë e barazojnë me “ligjin e vetëfuqizimit” të nazistëve. Nuk bëhet fjalë për t’i hequr të drejta parlamentit, por për ta forcuar atë.Tek shumë deputetë gjermanë kanë vërshuar E-maile kritikë kundër ligjit të mbrojtjes nga infektimet. Shumica e E-maileve kanë pasazhe të njëjta në tekst.