Gjermani, protesta kundër masave anti-Covid-19
Në qytete të ndryshme të Gjermanisë u organizuan protesta kundër masave të marra në kuadër të parandalimit të COVID-19.
Në Berlin, mbi një mijë njerëz u mblodhën në Rrugën Holzmarkt për të protestuar ndaj masave anti-COVID-19 me parullën “Marshimi i heshtur kundër diskriminimit dhe për të drejtat e njeriut”.
Demonstruesit më pas marshuan përgjatë rrugëve Leipziger, Charlotten dhe Unter den Linden deri në Sheshin Ëashington. Gjatë demonstratës, ku u morën masa të gjera të sigurisë, u vu re se rregullat e mbajtjes së maskave dhe distancës kryesisht u respektuan.
Policia herë pas here paralajmëronte demonstruesit që nuk mbanin maska.
Duke folur për AA, Hieko Haendel, i cili mori pjesë në protestë, deklaroi se ai mori pjesë në këtë marshim për vlera si paqja, liria, dashuria, transparenca dhe dialogu dhe tha se i konsideron si të pakuptueshme masat kundër koronavirusit.
Një protestuese tjetër deklaroi se dëshiron të japë një sinjal duke marrë pjesë në këtë protestë, duke shtuar: “Gjithçka po përkeqësohet dhe kushtetuta po shfuqizohet”.
Nga ana tjetër, protesta kundër masave anti-COVID-19 kishte edhe në qytetet Hamburg, Stuttgart dhe Nürnberg.