Gjenerali britanik: Konfliktet rajonale mund të zgjerohen për shkak të pandemisë
Pasojat ekonomike të shkaktuara si pasojë e pandemisë së koronavirusit e kanë bërë Luftën e Tretë Botërore më te mundshme. Paralajmërimi vjen nga shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Gjenerali Sir Nick Carter.
Ai tha se Britania dhe pjesa tjetër e botës duhet të mësojnë nga historia dhe hapat e gabuara të hedhur në të kaluarën, të cilat kanë çuar në luftëra botërore, duke pasur parasysh pasigurinë e madhe të shkaktuar nga COVID-19.
Sir Nick u intervistua nga Sky News. Ai u pyet nëse kishte frikë se kriza ekonomike globale mund të çonte në luftë. Gjenerali u shpreh i shqetësuar se rritja e konflikteve rajonale në të gjithë botën, mund të shndërrohet në një luftë të gjerë. Gjenerali argumentoi se duke qenë se bota është kthyer në një vend të pasigurt gjatë pandemisë, ekziston mundësia e përshkallëzimit të situatave për shkak të “llogaritjeve të gabuara”.
“Ne duhet të kujtojmë që historia edhe mund të mos përsëritet, por ka një ritëm dhe nëse shikojmë prapa në shekullin e kaluar, para dy luftërave botërore, unë jam i mendimit se përshkallëzimi erdhi si pasojë e llogaritjeve të gabuara, të cilat çuan në luftëra në shkallë të gjëra, që shpresoj të mos i shohim më kurrë”, u shpreh Gjenerali.