Gjendja me koronavirusin – Kosova siguron 100 mijë doza të vaksinave
Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale po mban takim me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtorët e ShSKUK-së, IKShPK-së dhe Klinikës Infektive.
Me këtë rast ministri Vitia tha se në Kosovë nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus, derisa paraqiti edhe disa nga masat që kanë marrë për tu mbrojtur nga ky virus.
“Akoma nuk kemi asnjë rast të identifikuar dhe diagnostikuar me koronavirus në vendin tonë”, ka thënë ai.
E në këtë rast, Vitia po ashtu ka folur edhe për masat që ka ndërmarrë Kosova për një luftimin efektiv të këtij virusi.
“Pas njoftimeve zyrtare për shfaqjen e një virusi të ri, Ministria e Shëndetësisë bashkë me Institutin e Shëndetësisë janë mobilizuar për marrjen e masave”.
Ai ka bërë të ditur se ministria ka porositur menjëherë dhe ka siguruar 100 mijë doza të vaksinave.
Po ashtu, ai ka thënë se aktualisht po kryhen edhe kontrolle nga stafi mjekësor në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kufitare.
“Prishtina fatmirësisht nuk ka linjë ajrore drejtpërdrejtë me Kinën dhe personat që vijnë nga Kina e që janë një numër modest, shfrytëzojnë aeroportin e Stambollit fillimisht ku edhe ju nënshtrohen kontrolleve e pastaj arrijnë në Kosovë”, tha ndër të tjera Vitia.