Gjendet e vdekur në banesën e saj regjisorja Arzana Kraja
Po e nxjerrin nga ndërtesa, ky është trupi i pa jetë i regjisores Arzana Kraja e cila në orët e para të mëngjesit të së mërkurës është gjetur pa shenja jete në banesën e saj, në Lagjen Emshir në Prishtinë.
FaktePlus ka qëndruar te banesa ku Arzana është gjetur e vdekur, ku janë parë edhe zyrtarët policorë, dhe punonjës të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IMK) ku kanë kryer ekzaminimet.
Por për rastin nuk kanë folur zyrtarë të IMK-së, ndërsa vdekja e regjisores Kraja nga Policia e Kosovës po konsiderohet si e dyshimtë.
“Me datën 13.11.2019 rreth orës 09:08 policia ka pranuar një informatë, për një trup të pa jetë në lagjen Kalabria Prishtinë. Njësit policore kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore. Policia po e trajton rastin si ‘vdekje e dyshimtë’.
E si vdekje të dyshimtë e ka konsideruar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Regjisorja e ndjerë për fqinjët njihej si një person shumë e mirë dhe pozitiv.
Madje nuk kanë munguar as reagimet për vdekjen Arzanës.
Të shokuar për vdekjen e regjisores janë shprehur Qendra Kinematografike e Kosovës.
“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i saj në fushën e kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve”.
Deri tani nuk janë dhënë detaje se çfarë e ka shkaktuar këtë vdekje, ndërsa trupi i pa jetë është dërguar për obduksion.
Dimë se Arzana ishte vajza e akademikut të njohur Mehmet Kraja.