Gjatë vizitës së tij në Prishtinë nuk flet për temat që ndajnë Kosovën e Shqipërinë
Kryediplomati shqiptar në detyrë Gent Cakaj, ka takuar sot të gjithë krerët e institucioneve të Kosovës. Megjithatë në gjithë këto takime me Hashim Thaçin, Vjosa Osmanin e Albin Kurtin, Cakaj është kujdesur që t’iu shmanget temave të nxehta të cilat aktualisht po e ndajnë politikën zyrtare Tiranë-Prishtinë. Nuk dihet nëse këtu është dërguar nga Kryeministri për të bërë një “reset” të marrëdhënieve Kosovës e Shqipërisë, por ai këtu s’ka folur as për korrigjim kufijsh, as për taksën e as për çështjen e projektit të Aleksandar Vuçiq e Edi Ramës për “Minishengeinin”.
Gjatë mandatit të dytë të qeverisjes së Edi Ramës, raportet Shqipëri-Kosovë janë acaruar. Si kryeministër i Shqipërisë, Rama ka ngritur padi ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, pas përplasjeve më këtë të fundit për taksën dhe korrigjimin e kufijve. Rama ishte rreshtuar krah Vuçiqit dhe Hashim Thaçit në përkrahje të idesë për ndarje të Kosovës ndërkohë në Berlin i kishte bërë presion Haradinajt për heqje të taksës.
Përveç Haradinajt, kritika në distancë janë shkëmbyer edhe me kryeministrin e ri Albin Kurtin, pasi ky i fundit ka kundërshtuar projektin e “Minishengenit” të cilin janë duke bërë përpjekje që ta shtyjnë përpara dyshja Rama-Vuçiq.
Kurti përveç kundërshtisë së “Minishengenit” kishte drejtuar edhe kritika ndaj Ramës, duke shprehë indinjatën e tij ndaj këtij të fundit pse kishte zgjedhë për bashkëpunëtorë të parë presidentin e Serbisë dhe jo Kosovën.
Kundërshtia dhe kritikat për Minishengenin shihej hapur që kishin hidhëruar Ramën, derisa ky i fundit i kishte rezervuar një pritje të ftohtë Kurtit gjatë vizitës së parë në Shqipëri si kryeministër i Republikës së Kosovës.
Projekti i Minishengeinit kishte marrë një “JO” të madhe nga gjithë faktori politik në Kosovë duke injrouar kështu të gjitha takimet e organizuara fillimisht në Serbi, Maqedoni e më pas edhe në Shqipëri. Për këtë “JO” të madhe Rama nuk kishte ngurruar që krahë për krah me Vuçiqin të akuzonte Kosovën dhe politikën në Prishtinë se po vetë izolohet.
Pas gjithë kësaj sage përplasjesh dhe sulmesh drejt Kosovës, Rama ka dërguar për një vizitë zyrtare në Kosovë, Gent Cakajn, ministër në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme, mbase edhe për ta shtendosur paksa situatën.
Megjithatë në këtë vizitë të tij në Prishtinë, Cakaj nuk ka zënë me gojë asnjë prej temave të nxehta për të cilat janë shkëmbyer akuza e kritika të ndërsjella mes politikës në Tiranë e Prishtinë.
Ai pa përmendur minishengenin, ka thënë se duhet të hiqet kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këtë e përsëriti dhe Presidenti Hashim Thaçi kur Cakajn e priti në zyrë. Por, heqja e kufirit ndërmjet dy vendeve vëllazërore nuk është e mundur nëse Kosova nuk e pranon minishengenin.
Ai këtë e bëri të qartë kur i tha Albin Kurtit se nuk ka makroshëngen shqiptar pa pasur minishengen rajonal. Rama kështu bashkëpunimin Kosovë -Shqipëri e ka lidhur krejtësisht me qëndrimin e Serbisë. Presidenti Thaçi, ndërkaq u kujdes të thotë se Cakaj dhe shefi i tij Rama janë unik rreth Kosovës, pa elaboruar më shumë.
Krye diplomati shqiptar s’ka folur as për integritetin territorial e sovranitetin e Kosovës, as për taksën 100 % ndaj Serbisë, tema këto që përveç minishengenit e ndajnë dhe vazhdojnë të ndajnë politikën zyrtare të Shqipërisë me Kosovën.
Në takimin me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, Cakaj ka folur për bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në fushën e politikës së jashtme dhe për çështjen e njohjeve të Kosovës. Për të marrë vëmendje ai madje propozuar një marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë për të lobuar për njohjen e Kosovës nëpër botë.
Gjatë takimit me kryekuvendaren Vjosa Osmani, ministri Cakaj ka folur për bashkëpunimin ekonomik Prishtinë-Tiranë ndërkohë ka përmendur edhe një plan për bashkim ambasadash e konsullatash Kosovë-Shqipëri që sipas tij do të përçonin një mesazh politik.
Në fund është takuar edhe me kreun e qeverisë, Albin Kurti, me të cilin pak a shumë ka diskutuar temat e ngjashme të bashkëpunimit të ndërsjellë Shqipëri-Kosovë në aspektin e diplomacisë, është diskutuar për përgatitjen e terrenit për krijimin përfaqësimeve diplomatike të përbashkëta.
“Përplotësimi i personelit diplomatik si dhe vendosja e ambasadave në të njëjtën adresë e ndërtesë përbëjnë koordinim bashkëpunimi në planin e interesave. Këto interesa aktualisht janë mbrojtja dhe rritja e njohjeve të shtetit të Kosovës, si dhe përçimi i mesazhit të një perspektive përbashkuese”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit Kurti-Cakaj.