Kosovarët ia shohin sherrin COVID-it edhe për viza, s’ka liberalizim as këtë vit

Pritja për liberalizim të vizave duket se nuk do të marr fund edhe gjatë këtij viti. Qytetarët e Kosovës nuk do ta kenë fatin që gjatë 2021 të shëtisin Evropën pa viza. Shpresat për heqjen e tyre janë zbehur edhe për shkak të pandemisë. Por, kanë mbetur edhe gjashtë pika pa u përmbushur.
Dy javë më parë, Parlamenti Evropian ka mbështetur kërkesën për liberalizim të vizave për Kosovën. Pro liberalizimit të vizave kanë votuar 472 europarlamentarë, 165 kanë qenë kundër dhe 41 të tjerë kanë abstenuar.
Mirëpo, Kosova luftën për liberalizim e ka filluar moti, qysh pas shpalljes së pavarësisë, ndonëse kjo kërkesë nuk u aprovua kurrë. Kërkesat e Bashkimit Evropian ndërronin varësisht situatave me të cilat ballafaqohej Kosova. Por lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk ndryshonin dhe sipas raporteve të fundit këto kritere ende nuk janë plotësuar.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha ka thënë që në tërësi Kosova ka humbur shumë kohë për arsye politike. Mirëpo sipas tij Kosova e ka humbur një momentum historik për ta fituar liberalizimin e vizave.
“Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit i cili i ka kushtuar qytetarëve te Kosovës tani pothuaj pesë vite izolim. Në vitin 2016, BE-ja hapi derën Kosovës që të jetë pjesë Zonës Shengen, por skena politike e Kosovës refuzoj këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetaret e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë.”, ka thënë Shasha për FaktePlus.
Ndërsa për të fituar të drejtën e lëvizjes së lirë gjatë këtij viti, mundësitë janë vogla, e shkaktar kryesor, sipas Shashës, është pandemia.
Pandemia
Virusi COVID-19 ka kapluar të gjithë botën dhe po lë pasoja gjithandej. E ndikim po del të ketë edhe në çështjen e liberalizimit të vizave.
Demush Shasha, pandeminë e konsideron si faktor kryesor që e pengon liberalizimin në vitin 2021.
“Sa i përket vitit 2021 ekzistojnë gjasat shumë të vogla se do të këtë çfarëdo progresi lidhur me liberalizimin e vizave. Kjo për shkak se menaxhimi i pandemisë kërkon kufizimin e përgjithshëm të lëvizjes së qytetarëve dhe rrjedhimisht çfarëdo diskutimi për hapjen e kufijve nuk është i mirëseardhur.”,ka thënë Shasha.
Ai për FaktePlus ka thënë që pandemia ka krijuar një mjedis politik ku Gjermania është duke e rivendosur kufirin me Çekinë dhe Austrinë, andaj nuk ka heqje të kufijve për Kosovën dhe vendet e tjera të treta.
“Pandemia ka krijuar një mjedis politik ku momentalisht Gjermania është duke rivendosur kufirin me Çekinë dhe Austrinë. Prandaj të mendosh se në këtë kontekst do hiqen kufijtë ndaj vendeve të treta është e paimagjinueshme.”, ka thënë ai.
Ndërsa edhe një tjetër problem është që Gjermania dhe Holanda kanë vitin zgjedhor dhe është e vështirë që këto dy vende do ta mbështesin vendimin për hapjen e kufijve të BE-së gjatë një viti zgjedhor.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar
Sipas Shashës, problemi kryesor për vonimin e liberalizimit të vizave ndër vite është korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Shasha tha që për aferat ‘Veteranët’, ‘Pronto’ e ‘Fajdet’ ende nuk është arrestuar asnjë person i profilit të lartë, andaj edhe nuk është kthyer besimi në institucionet e drejtësisë.
“Katër vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rastet e interesit të lartë publik, sikur “VETERANËT”, “PRONTO” dhe “FAJDET” nuk kanë arritur të kthejnë besimin në institucionet e sundimit të ligjit.”, ka thënë Shasha për FaktePlus.
Shasha, gjithashtu ka treguar se Raporti i Vendit 2020 ka identifikuar disa sfida në Kosovë.
“Raporti i Vendit 2020 ka identifikuar sfida të shumta në sundimin e ligjit, në veçanti vendet anëtare kanë përcjellur me shqetësim të gjeturat e këtij raporti, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale dhe sistemi i drejtësisë është nën ndikimin politik.”, ka thënë Shasha.
Dialogu Kosovë-Serbi
Shasha ka shtuar edhe një tjetër pengesë për liberalizimin e vizave. Sipas tij mungesa e progresit në dialogun Kosovë-Serbi është pengesë indirekte për mosliberalizimin e vizave për Kosovës.
“Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengese indirekte pasi qe vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të gjitha proceseve integruese, përfshire edhe liberalizimin e vizave.”
Ai ka thënë që Kosova e ka pasur momentumin pozitiv për liberalizim në vitin 2016, por që tashmë çështja e hapjes së kufijve ka implikime të shumta politike brenda vendeve anëtare të BE-së.
“Kosova ka pasur momentumin pozitiv për liberalizimin e vizave në vitin 2016, sidoqoftë sot çështja e hapjes së kufijve është çështje me implikime të shumta politike brenda disa vendeve anëtare të BE-së, në veçanti duke pas parasysh implikimet e pandemisë COVID-19.”, ka thënë Shasha për FaktePlus.
6 hapat për liberalizim të vizave
Shasha ka thënë për FaktePlus, se Kosovës i kanë mbetur edhe gjashtë hapa deri te lëvizja e lirë.
Ata janë:
1. Përfundimi i negociatave ndër-institucionale për plotësim ndryshimin (trialogu) e Rregullores 539/2001 dhe dakordimi mbi një marrëveshje të përkohshme jo-formale për plotësim ndryshimin e Rregullores;
2. Votimi për plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001 në LIBE (Parlamenti) dhe aprovimi në COREPER (Këshilli);
3. Votimi për plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001 në seancë plenare të Parlamentit Evropian;
4. Votimi për plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001 nga Këshilli i BE-së;
5. Ceremonia e nënshkrimit nga Këshilli dhe Parlamenti;
6. Hyrja në fuqi e Rregullores 539/2001 dhe levizja e lirë e qytetarëve të Kosovës (20 ditë pas publikimit në gazetë zyrtare)./FaktePlus/.