Gjashtë sulme ndaj zyrtarëve policorë në veri, Bashkimi Evropian ka një thirrje për institucionet
Gjashtë sulme të njëpasnjëshme janë konfirmuar së fundi në drejtim të zyrtarëve policorë të Kosovës, në veri të vendit.
Zyrtarët policorë u sulmuan vazhdimisht nga persona të dyshimtë, raste këto të cilat u cilësuan terroriste.
Sulmi i parë ishte me gurë, duke vazhduar më pas me vendosje të iriqëve metalikë në rrugën ku të njëjtit kalojnë çdo ditë për në vendin e tyre të punës.
Duke mos e lënë me kaq, persona të dyshimtë kanë hedhur edhe granata dore (ushtarake), në drejtim të policëve.
Një sulm tjetër ndaj tyre ishte i drejtpërdrejtë. Ndaj zyrtarëve policorë pati të shtëna me armë zjarri të llojit AK-47, dy herë radhazi.
E të gjitha këto sulme ishin mjaftë shqetësuese për qytetarët, por edhe për institucionet drejtuese të vendit.
Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Bashkimin Evropian. Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano.
Me këtë rast, Stano, ka deklaruar se Bashkimi Evropian dënon ashpër sulmet e fundit ndaj patrullave policore të Kosovës.
Po ashtu është theksuar se Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë në vend.
“Bashkimi Evropian dënon ashpër sulmet e fundit ndaj patrullave të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës ndaj policëve të saj është i papranueshëm.”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Përpos kësaj, nga Bashkimi Evropian patën edhe një thirrje drejtuar të parëve të institucioneve në vend.
BE-ja theksoi se duhet shmangur spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensionet e mëtejshme.
“I bëjmë thirrje të gjithëve që të shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse ligjzbatuese.”, u tha po ashtu në përgjigje.
Sulmet në drejtim të Policisë së Kosovës janë dënuar gjithashtu edhe nga KFOR-i, të cilët kanë theksuar se janë të gatshëm të ndihmojnë Policinë e Kosovës, kurdo që atyre iu kërkohet.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar”.
Pas këtyre sulmeve të shënuara ditë ma parë, ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla, pati cilësuar se janë sulme terroriste, teksa tha se këto sulme po vinë pikërisht pas vendimeve të shumta që morën institucionet e vendit që të ndalojnë rrugët ilegale që po përdornin serbët në veri të vendit.
“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës që të vendos rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë, për grupet e caktuara të cilat mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia dhe realisht u prish planet të gjithë atyre të cilët Kosovën e kanë parë si çerdhe të krimeve të tyre.”, theksoi ai.
E ngjashëm pati deklaruar edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Ai tha se grupe kriminale po vazhdojnë të organizojnë sulme në drejtim të zyrtarëve policorë.
Mehmeti pati thënë se në sulmet e ndodhura më parë pati policë shqiptarë dhe serbë, teksa shtoi se pavarësisht nacionalitetit ata janë zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Drejtori i PK-së, theksoi se të gjithë zyrtarët policorë të Kosovës janë policë, pavarësisht nacionalitetit, por theksoi se në rastet e ndodhura në automjete pati edhe serbë edhe shqiptarë.
Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga pikat më të “nxehta” të vendit, sa i përket aspektit të sigurisë. Pavarësisht punës që bëhet nga Policia e Kosovës, vazhdimisht në këtë anë ka patur raportime për funksionim të grupeve kriminale, që së fundi kanë rrezikuar edhe punën e policëve.
Duhet theksuar se Policia e Kosovës në veri shpesh herë ka qenë cak i sulmeve nga grupe të ndryshme, të cilat jetojnë dhe funksionojnë në pjesën veriore të Kosovës.
E sipas drejtuesve të vendit, këto sulme erdhën pikërisht pasi institucionet e Kosovës morën vendim që të mbyllin disa rrugë, që nga serbët po përdoreshin për çështje ilegale.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas këtyre sulmeve ka theksuar se sipas informacioneve të cilat kanë të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë, teksa dënoi këto sulme.
Ngjashëm ishte reagimi edhe nga Presidenca e Kosovës, ku ndër të tjerash u tha se këto sulme janë tentativë për të destabilizuar situatën në veri.
“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kanë kryer disa sulme kundër Policisë së Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë.”,thuhej në reagimin e presidencës./Lajmi.net/