Ghebreyesus optimist që pandemia do të mposhtet përgjatë vitit 2022
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha më 31 dhjetor se është optimist që pandemia e coronavirusit do të mposhtet përgjatë vitit 2022. Ai madje kërkoi nga shtetet që të punojnë bashkërisht në parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Tedros Adhanom Ghebreyesus po ashtu foli kundër “nacionalizmit të ngushtë dhe grumbullimit të vaksinave” në fjalimin e tij të fundvitit.
Ghebreyesus foli dy vjet pasi që OBSH-ja regjistroi rastin e parë me coronavirus që atëkohë besohej se ishte pneumoni e panjohur e përqendruar vetëm në Kinë.
Tani numri global i rasteve me coronavirus në botë arriti në 287 milionë raste pozitive derisa pothuajse 5.5 milionë njerëz kanë vdekur.
Coronavirusi mbeti megjithatë, pjesë e përditshmërisë: sëmundje e cila mbylli kufijtë, ndau familjet dhe në disa pjesë pamundësoi daljen nga shtëpia pa maskë në fytyrë.
Pavarësisht të gjitha këtyre, Ghebreyesus ishte pozitiv gjatë fjalimit të tij duke theksuar që tani bota ka shumë më shumë mjete për të trajtuar COVID-19.
Por edhe një herë paralajmëroi se pabarazia në shpërndarjen e vaksinave kundër coronavirusit është duke e rritur rrezikun nga evoluimi i të njëjtit.
“Nacionalizmi i ngushtë dhe grumbullimi i vaksinave nga disa shtete kanë thelluar pabarazinë dhe krijuan kushte ideale për shpërthimin e variantit Omicron. Derisa pabarazia po vazhdon ka më shumë rrezik që virusi të evoluojë në mënyra që nuk mund të parashihen apo parandalohen”, tha ai.
“Nëse e përfundojmë pabarazinë, e përfundojmë pandeminë”, shtoi ai.
Në fjalimin e tij, Ghebreyesus po ashtu përmendi edhe nivelin e ulët të vaksinimit në botë.
Derisa shumica e shteteve në Evropë dhe SHBA kanë vaksinuar popullsitë me së paku një dozë të vaksinës kundër coronavirusit, synimi i OBSH-së që niveli i vaksinimit të arrijë në 40 për qind në secilin shtet deri në fund të 2021-s nuk është as pothuajse afër në shumë shtete afrikane.
Shefi i OBSH-së më herët kishte kritikuar shtetet e pasura që po “gllabërojnë” furnizimin global me vaksina duke vaksinuar plotësisht shumicën e qytetarëve derisa të tjerët presin për dozën e parë.
Tani OBSH-ja ka synim të ri për vitin 2022: vaksinimin e 70 për qind të qytetarëve në të gjitha shtetet deri në muajin korrik, për t’i dhënë fund kështu pandemisë.