Gazmend Abrashi reagon për vendimin e qeverisë Kurti që preku biznesin e tij
Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për vendimin për heqjen e tarifës ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si dhe vendimin e sotëm të qeverisë për normën e akcizës për cigaret që prodhohen në Kosovë.
Abrashi, i cili është pronar i një fabrike të privatizuar që prodhon cigare, tha se qeveria duhet të bëjë analiza më të qëndrueshme në mënyrë që këto vendime mos t’i shkaktojnë dëme ekonomisë së vendit.
“Hiqen tarifat për produktet e Sërbisë e ngritim akciza për prodhim vendor. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë analiza më të qëndrueshme kur vepron nē politika fiskale për tē mos shkaktuar dëme ekonomisë së vendit”, thuhet në reagimin e Abrashit në Facebook.
Më tej, ai thotw se fabrika e duhanit në Gjilan, i ka punësuar së paku 100 persona dhe ka rritur taksat për shtetin.
“Fabrika pas 18 viteve ka filluar prodhimin, me potencial për punësimin e së paku 100 puntorëve në prodhim. Një produkt vendor ka filluar të hyj në treg, shteti ka fituar një tatimpagues të ri, më i madhi në komunën e Gjilanit”, ka shkruar tutje ish këshilltari i Haradinajt.
Sipas tij, fillimi i prodhimit në fabrikën e duhanit në Gjilan i ka aktivizuar fermerët që të kultivojnë duhanin në rrethinën e Anamoravës dhe Gjakovës.
Qeveria Haradinaj, në tetor të vitit 2018 kishte vendosur një pikë që e rregullonte përllogaritjen e normës së akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë, ndërsa sot ministri i financave, Besnik Bislimi, propozoi që këto vendime të anulohen./FaktePlus