Gazeta gjermane: Politikanët serbë dhe kroatë po punojnë urgjentisht për ta shpërbërë Bosnje e Hercegovinën
Dje, një takim i BE-së me Ballkanin Perëndimor u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, ku, përveç Kroacisë, Sllovenisë dhe anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian, morën pjesë edhe Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Gjithashtu u miratua Deklarata e Bërdos, e cila krijoi mbështetje të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në fushën e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital, ndihmë në luftën kundër COVID-it dhe forcimin e bashkëpunimit politik dhe atë të sigurisë.
Sidoqoftë, samiti u mbajt në një kohë kur tensionet në disa pjesë të Ballkanit janë në nivele të larta rrezikshmërie, veçanërisht në kufirin Kosovë-Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë. Gazeta gjermane, Tageszeitung gjithashtu paralajmëron për zhvillimet e fundit, duke shkruar se “politikanët serbë dhe kroatë po punojnë urgjentisht për ta shpërbërë Bosnje e Hercegovinën”, shkruan Deutsche Welle.
Përfundimi i artikullit se Bosnja e Hercegovina është “si një sizmograf” rrjedh kryesisht nga reagimet e fuqishme ndaj Ligjit për Ndalimin e Mohimit të Gjenocidit, të paraqitur së fundmi nga Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Valentin Inzko. Sipas ligjit, do të jetë e mundur të ndiqet penalisht çdo individ që mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndaj të cilit reagoi anëtari serb i Presidencës së BeH, Milorad Dodik, i cili mohon me këmbëngulje gjenocidin dhe e përshkroi ligjin si “gozhdë të fundit në arkivolin e BeH”.
“Inzko donte të bënte diçka kundër ideologjive nacionaliste dhe mohimit të krimeve, jo vetëm ato të kryera nga serbët. Ligji supozohej të ishte një hyrje në procesin e pajtimit. Por reagimi ishte i ashpër. Nacionalistët serbë as nuk duan të dëgjojnë për pajtimin, për ta, kriminelët e dënuar para gjykatës së Hagës – janë heronj. Dhe, nëse i pranojnë krimet, kjo do ta rrezikonte mbijetesën e Republika Srpskas”, shkruan gazeta gjermane.
Një reagim shtesë i palës serbe ndaj Ligjit për Ndalimin e Mohimit të Gjenocidit ishte tërheqja e të gjithë serbëve nga institucionet e përbashkëta të BeH dhe Parlamenti. Gazeta gjermane shkruan se me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, kërkohet gjithashtu heqja e detyrave të Përfaqësuesit të Lartë dhe gjykatës së përbashkët, dhe kërkesa e Dodikut për t’i tërhequr ushtarët serbë nga Forcat e Armatosura të BeH dhe formimin e ushtrisë së RS-së është përmendur. E gjithë kjo, thuhet më poshtë, çon në tensione shtesë dhe forcim të nacionalizmit, të cilat lehtë mund të kishin kaluar nën radar në samitin e djeshëm të BE-së me Ballkanin Perëndimor.
“A dëshiron Dodiku ta përdorë shkëputjen e RS-së, të cilën ai e kërkon vazhdimisht, me armë? Prej vitesh, oficerët rusë po trajnojnë policët serbë ushtarakisht nën maskën e luftimit të terrorizmit. Sigurisht, ata në Bruksel dhe Berlin e dinë mirë këtë, Rusia dihet se përpiqet ta parandalojë zgjerimin e BE-së, dhe mbi të gjitha NATO-n, dhe t’i mbështesë forcat nacionaliste jo vetëm të “botës serbe”, por edhe të atyre në Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci.”
Përveç reagimeve të ashpra dhe pakënaqësisë së Dodikut, të cilit ditët e fundit iu desh të përballej me protesta të ashpra në Banja Llukë, ku disa mijëra njerëz dolën në rrugë kundër për të protestuar korrupsionit të Dodikut, TAZ nuk e zvogëlon rolin e politikanëve dhe nacionalistëve kroatë në destabilizimin e BeH. Sipas gazetës gjermane, ish-anëtari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Dragan Çoviq, ankohet pa arsye se kroatët në entitetin e Federatës së BeH janë të shtypur.
“Në realitet, kroatët janë të privilegjuar dhe kanë shumë më tepër vende në institucionet e BeH sesa që meritojnë. Coviq po kërkon një ligj zgjedhor në interes të partisë së tij nacionaliste HDZ”, shkroi gazeta gjermane, duke shtuar një deklaratë të presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq, i cili “u deklarua vetë si president i të gjithë kroatëve, edhe i atyre në BeH”.