Gati sa nuk është këputur shtylla – rrezikohen banorët në Ferizaj
Vendbanime të ndryshme të Kosovës po vazhdojnë të përballen me probleme nga më të ndryshmet. Por, në një lagje të Ferizajt qytetarët po rrezikohen me jetë, pasi një nga shtyllat elektrike që mban me dhjetëra tela vetëm sa nuk është rrëzuar.
Me këtë problem qytetarët e një lagjeje prapa stacionit të autobusëve të Ferizajt janë duke u përballur që disa javë.
Aty një shtyllë elektrike vetëm sa nuk ka rënë në tokë dhe kjo është bërë kërcënim për banorët e lagjes, e sidomos fëmijët që kanë shtëpitë afër.
Qytetarët e kësaj komune kanë dërguar fotografi në Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ku shihet qartë se shtylla është e thyer dhe atë po e mbajnë vetëm disa fije armature.
“Shtylla ka kohë që është kështu dhe ne kemi njoftuar organet e komunës, por deri sot nuk është intervenuar. Ka rrezik të madh që të këputet shtylla dhe gjithë këta tela të bien në tokë dhe ta pësojë ndonjë person, apo fëmijë që kanë shtëpitë afër këtu”, ka thënë një qytetar për FaktePlus.