Gati 60 mijë euro dënime për gjashtë ditë fushatë zgjedhore
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar gjoba prej mijëra euro ndaj subjekteve politike për shkelje të ndryshme ligjore që kanë bërë vetëm për gjashtë ditë fushatë.
Ashtu si e parasheh ligji, PZAP ka filluar monitorimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë që garojnë për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit dhe tashmë ka shqiptuar gjoba për ata që janë gjetur duke shkelur rregullat e garës.
Më saktësisht janë pesë subjekte politike të cilat gjatë këtyre ditëve kanë shkelur rregullat e fushatës zgjedhore, e që për këto shkelje janë ndëshkuar rëndë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa, shkruan FaktePlus.
Në një përgjigje të dhënë nga PAZP thuhet se subjektet që morën gjoba janë: Lista Serbe, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Koalicioni AAK-PSD dhe Koalicioni Nisma- AKR- PD.
PZAP ka listuar gjobat e këtyre partive politike të cilat kanë rënë ndesh me ligjin në fuqi për fushatën zgjedhore.
E para është Lista Serbe, e cila prin me shumën më të madhe të dënimeve nga PZAP. Kjo parti politike është dënuar me 30 mijë euro vetëm për gjashtë ditë fushatë.
Në listën e PAZP-së e dyta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është gjobitur me 14 mijë e 100 euro.
Pastaj vjen Partia Demokratike e Kosovës me 6 mijë e 100 euro gjobë.
Listës së dënimeve i bashkëngjiten edhe dy koalicionet ai i AAK-së dhe PSD-së me 6 mijë euro gjobë, dhe koalicioni Nisma-AKR-PD, me 2 mijë e 500 euro gjobë.
Nëse bëjmë një llogaritje totale, PZAP ka shqiptuar gjithsej 58 mijë e 700 euro gjobë për gjashtë ditë fushatë zgjedhore.
Shkeljet që bëjnë partitë politike gjatë fushatës zgjedhore
Përdorimi i fëmijëve në fushatë zgjedhore, po konsiderohet si gabimi më i shpeshtë që po bëhet nga subjektet garuese të zgjedhjeve të 6 tetori.
Si shkelje tjetër po konsiderohet, vendosja e posterëve në hapësira publike, presioni ndaj votuesve, shfrytëzimi i pozitës publike me qëllim të përfitimit të votave, përdorimi i gjuhës së urrejtjes, vendosja e tavolinës me postera të kandidatëve në rrugë publike dhe shpërndarja e videove nëpër rrjetet sociale me fëmijë.
Ndryshe, gjobat e paguara nga partitë politike, shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Dënimet në zgjedhjet e kaluara
Kujtojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë zgjedhjeve të fundit që janë mbajtur në vend, ato të 22 tetorit të vitit 2017, ka shqiptuar një numër goxha të madh dënimesh. Marrë së bashku të gjitha subjektet dënimet e PZAP-së kishin shkuar deri në 257 mijë e 350 euro.
E gjithë këto dënime partitë i kanë paguar, pasi në bazë të ligjit aktual në fuqi, asnjë subjekt politik në Kosovë nuk mund të garojë në zgjedhje, nëse nuk paguhen gjobat e shqiptuara për zgjedhjet paraprake nga PZAP-ja./FaktePlus