Gati 17 mijë nënshkrime për bashkimin e Mitrovicës
Vetëm për shtatë ditë sa ka zgjatur koha për nënshkrimin e peticionit për bashkimin e Mitrovicës, atë e kanë nënshkruar 16 mijë e 594 qytetarë.
Këtë e ka treguar sot kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri gjatë një konference për media.
Bahtiri ka thënë se peticioni me nënshkrime të qytetarëve do të dërgohet brenda javës tek Kuvendi i Kosovës, Qeveria dhe Presidenca, me ç’rast do të kërkohet ndryshimi i Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave me qëllim të bashkimit të qytetit.
“Në peticion kanë marrë pjesë edhe qytetarët e veriut, qytetarët serbë, ata janë lodhur nga strukturat paralele në veri”, ka thënë ai.
I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e kryeministrit Haradinaj se nuk do ta përkrahë peticionin, Bahtiri ka thënë se ai nuk e ka dëgjuar kryeministrin duke e thënë këtë, por se ai e di se edhe kryeministri edhe çdo qytetar që ka gjak shqiptari do ta përkrahë këtë peticion.
Bahtiri ka garantuar para gazetarëve se qyteti i Mitrovicës do të bashkohet, por nuk tregoi saktë kur do të ndodhë kjo.
Ai ka thënë se pas bashkimit të qytetit në një komunë, zyra e kryetarit do të jetë në veri të qytetit.
Idenë e bashkimit të dy komunave të Mitrovicës e ka iniciuar kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri, pas dorëheqjes së kryetarit të Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq, i cili nëpërmes një deklarate ka njoftuar se ka ndërprerë komunikimin me institucionet e Republikës së Kosovës.
Përveç Rakiqit edhe tre kryetarët tjerë të komunave veriore, Stevan Vulloviq (Zubin Potok), Zoran Todiq (Leposaviq) dhe Vuçina Jankoviq (Zveçan) kanë dhënë dorëheqje pas vendosjes së taksës prej 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës.