Gati 10 mijë raste aktive me Covid-19, pritet shtrëngimi i masave
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon se në total numri i rasteve aktive me koronavirus është 9,771 persona.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 159.573, ndërsa nga fillimi i pandemisë nga koronavirusi kanë vdekur 2,996 persona.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 4.731 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.732.948 doza të vaksinës. Deri më sot 799.114 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Deri më sot janë dhënë 43.760 doza përforcuese dhe 2.199 doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.
Gjatë së enjtes, më 20 janar, 2022, kryeministri i Kosovës, ka kërkuar përditësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Në një takim të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë – ku ka marrë pjesë kryeministri – është thënë se pothuajse të gjitha rastet e infektimit janë me variantin Omicron të koronavirusit.
Kurti ka kërkuar që masat e reja të kenë qëllim ngadalësimin e rritjes së shkallës së infektimit.
Sipas masave aktuale, të miratuara më 23 tetor të vitit të kaluar, kufizimi i lëvizjes zbatohet nga mesnata deri në orën 05:00.
Bizneset e gastronomisë punojnë deri në orën 23:00, derisa muzika ndalet në orën 21:30.