Gati 1 mijë euro në ditë – ku shkojnë paratë që fiton QKUK nga parkingu
Radhë të gjata të makinave shihen përherë në hyrje-daljet e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK). E gjithë këto radhë kthehen në para të majme për QKUK-në, e cila brenda një dite fiton gati 1 mijë euro nga hallexhi që shkojnë për të kërkuar shërim në spitale.
Prej se është bërë digjitalizimi i hyrjeve dhe daljeve në QKUK, janë shtuar dukshëm edhe të hyrat për këtë institucion.
Kjo qendër spitalore tashmë po arrin të inkasojë nga pronarët e automjeteve rreth 1 mijë euro brenda ditës, e që për një muaj të hyrat janë rreth 30 mijë euro.
Qytetarët që kanë nevojë të hyjnë brenda këtij institucioni, për orën e parë duhet të paguajnë 0.50 euro, ndërsa me të hyrë në orën e dytë të qëndrimit brenda hapësirave të QKUK-së, pagesa kalon në 1 euro.
Për këto çmime shpeshherë qytetarët janë ankuar, duke thënë se janë të larta.
Si do qoftë QKUK-ja duke menaxhuar parkingun, brenda vitit mbledh rreth 340 mijë euro.
“Parkingu i QKUK-së menaxhohet nga vet QKUK-ja, pra punëtorët e saj dhe jo nga ndonjë kompani private. Të hyrat brenda 1 viti sipas shërbimit të financave janë rreth 340 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së dhënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus.
Hapësirat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës gjithherë janë të mbingarkuara dhe shpesh herë kapacitetet aktuale të parkingjeve nuk arrijnë që t’i mbulojnë kërkesat.
Për këtë arsye muaj më parë QKUK-ja kishte lëshuar për përdorim edhe një parking të ri me kapacitet prej 400 vende parkimi.
“Para disa muajve, QKUK ka lëshuar një parking të ri me mbi 400 vende për parkim, e nëse shtojmë faktin se ka pasur edhe parkingje të tjera më të vogla, atëherë mund të thuhet se situata me parkingje është dukshëm më e mirë”, thuhet në mes tjerash në përgjigjen e QKUK-së.
Më 2017, shërbimi i financave në QKUK tregon se ka mbledhur gjithsej 176 mijë euro të hyra nga parkingjet, e më 2018 të hyrat kanë qenë 290 mijë euro. Këto të hyra po rriten çdo ditë dhe tani kanë arritur në rreth 340 mijë euro.
Shërbimet e reja digjitale të vendosura vite më parë, në tri hyrje-daljet e QKUK-së, janë pronë 100 për qind e QKUK dhe menaxhohet nga ky institucion shëndetësor, ndërsa të hyrat dedikohen për shërbime spitalore./FaktePlus