Gastronomët e Gjilanit nesër protestojnë para Komunës
Gastronomët e komunës së Gjilanit nesër do të protestojnë para Komunës së Gjilanit.
Nga aty, gastronomët do të kërkojnë që të ndryshohet rregullat që janë caktuar ndaj bizneseve të gastronomisë, e për çka ata thonë se me vendimet e fundi të Ministrisë së Shëndetësisë e që u miratuan edhe nga kabineti qeveritar janë ndëshkuar padrejtësisht këto biznese.
Heqja e masave po kërkohet meqë siç thuhet në njoftimin e gastronomëve të Gjilanit, se asnjë rast i të infektuarve nuk është nga ndonjë lokal apo hoteleri e asaj zone.
“Ne gastronomet e Gjilanit ndjejmë se jemi të ndëshkuar padrejtësisht me vendimet e fundit të qeverise për masat kundër Covid 19, sepse nuk ka asnjë të dhëne dhe asnjë analizë konkrete e cila ndërlidhet me lokale hoteliere dhe asnjë rast i cili buron nga këto lokale, nga rastet të cilat rezultuan pozitiv në Gjilan”, ka shkruar përfaqësuesi i gastronomëve të Gjilanit.
Protesta e tyre është paralajmëruar të mbahet në ora 14:00, përcjellë FaktePlus.
“Për këtë arsye nesër me datë 08.07.2020 ne ora 14 do të protestojmë para zyrës së komunës në Gjilan për të kërkuar të ndryshohen rregullat të cilat janë caktuar me këtë vendim”, shkruan Ramadani.
Rikthimi i masave për bizneset e gastronomisë erdhi pas rritjes së numrit të të infektuarve por edhe vdekjeve nga COVID-19 në Kosovë.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 6 korrikut 2020 mori vendim që të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme), t’iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Kosovës.
“Orë policore” u vendos në qytetet ku ka më shumë të infektuar me Koronavirus.
Po ashtu edhe gjatë kohës së lejuar kafiteritë edhe restaurantet lejohen të punojnë vetëm në tarraca dhe me shërbimin merre me vete “Take Away”.
Ndërkaq me 3 korrik, Komuna e Gjilanit që udhëhiqet nga Lutfi Haziri mori vendim se në muzika live dhe ahengje në restorante e kafiteri të mos jenë më shumë se 50 persona.
“Qeveria e Kosovës ka udhëzuar dhe komiteti për emergjenca ka marrë vendim që Policia e Kosovës dhe inspektorët komunal do e zbatojnë. Kërkoj mirëkuptimin e të gjithë atyre që kanë planifikuar organizim gjatë vikendit, por nuk është i mundur të lejohet organizimi i mbrëmjeve muzikore dhe i ahengjeve të cilat kanë më shumë se 50 persona”, kishte njoftuar kryetari Haziri.
Kurse, mbrëmë nga Shoqata e Gastrnomëve u tha se ky sektor ka qenë ndër sektorët më të goditur të pandemisë.