Gashi tregon çka po presin dhe kur LDK-ja publikon emrat e ministrave të Qeverisë Hoti
Sot janë mbushur dy javë prejse presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, ndërsa kanë mbetur edhe dy javë kohë deri në afatin e fundit kur Gjykata Kushtetuese pritet të nxjerr një vendim e të vendos se a ka të drejtë LDK-ja të formojë qeverinë e re apo duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi dha emrin e Avdullah Hotit si mandatar për kryeministër të Kosovës dhe ai u dekretua nga presidenti, tashmë është duke e bërë gati Programin e Qeverisë së Re, i cili thuhet se po harmonizohet me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës, si AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe.
Për dallim nga parnerët e koalicionit, pra AAK-së e Nismës, ajo që LDK ende nuk ka bërë publik është përbërja e kabinetit qeveritar dhe emrat e saj që do të jetë pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka treguar se e kanë tashmë kanë diskutuar në parti për këtë çështje dhe se e kanë një ide për emrat e ministrave, por që lista ende nuk është përfundimtare.
E në këtë rast, Gashi ka treguar kohën se kur mund të publikohen emrat e ministrave të LDK-së që do të jenë në krah të Avdullah Hotit gjatë Qeverisë së re.
“Për emrat e ministrave ende nuk kemi vendosur edhe pse e kemi një ide, por jo verdikt. Por pasi të shihet se si po shkon situata atëherë ne do të vendosim se si të procedojmë. Pra, sapo të kemi leje për të bërë Qeverinë, do të bëjmë publik edhe emrat e ministrave”, tha Gashi për FaktePlus, duke iu referuar në këtë rast vendimit që do të sjell Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë se LDK tashmë ka arritur marrëveshje koalicioni me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe. E pas nënshkrimit të marrëveshjeve, AAK dhe Nisma kanë bërë publike atë për çka janë dakorduar me LDK-në.
Mirëpo, LDK nuk e ka publikuar ende marrëveshjen që ka bërë me Listën Serbe për bashkëqeverisje.
Deputeti Gashi thotë se deri më tani nuk kanë publikuar marrëveshjet, pasi një gjë e tillë do të bëhet pasi Kushtetuesja të merr vendimin e saj.
“Ne nuk kemi publikuar asnjë marrëveshje. Dhe jo vetëm me Listën Serbe, por të gjitha marrëveshjet do të publikohen pasi të përfundon çështja e Gjykatës”, tha Gashi për FaktePlus.
Kujtojmë që me 29 prill, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje, ku partisë së Haradinajt do t’i takojnë katër ministri dhe zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e re, e cila pritet të drejtohet nga Avdullah Hoti.
Zëvendëskryeministri i parë është thënë të jetë, Besnik Tahiri, ministër i Drejtësisë, Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuqi, ministër i Arsimit, Ramë Lika dhe ministre e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.
Ndërsa, ditën e fundit të muajit prill, kreu i LDK-së arriti të nënshkruaj marrëveshje me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Sipas marrëveshjes këtij subjekti politik në qeveri do t’i takojnë dy ministri, ajo e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kurse Lista Serbe siç ka qenë raportuar në media do të ketë dy ministri, por ende nuk është konfirmuar nëse atyre u është dhënë edhe një zëvendëskryeministër siç kishin kërkuar.
Kujtojmë se gjithë këto zhvillime erdhën pasi me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim në natën e së mërkurës më 25 mars në Kuvendin e Kosovës është votuar mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Mocionin për rrëzimin e Kurtit e nisi Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën Lëvizja Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës
Pas mocionit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më 30 prill ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.
E vetëm pak çaste pas shpalljes së këtij dekreti, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.
Kështu tani e gjithë kjo çështje është në dorën e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka edhe dy javë kohë deri në afatin e fundit kur duhet të nxjerr një vendim e të vendos se a ka të drejtë LDK-ja të formojë qeverinë e re apo duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme siç po kërkon Lëvizja Vetëvendosje./FaktePlus