“Garë” mes Osmanit dhe Gërvallës për ceremoninë e inaugurimit të Ambasadës në Bogota
Një “garë” mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, është zhvilluar mbi atë se cila do ta përfaqësojë Kosovën në inaugurimin e Ambasadës në Bogota të Kolumbisë. Presidenca ka lëshuar njoftimin të hënën, ku tregon për udhëtimin e Osmanit në Kolumbi.
Veç takimeve me homologun e saj dhe me zyrtarë të tjerë, aty përmendet edhe inaugurimi i Ambasadës së Kosovës në Bogota.
“Gjatë vizitës së punës në Kolumbi, presidentja Osmani do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale, ku përpos që do të jetë folëse kryesore në ceremoninë hapëse të konferencës, do të jetë folëse edhe në panelin diskutues ku do të trajtohet çështja e fëmijëve të mbijetuar të dhunës seksuale në konflikt. Presidentja Osmani gjatë vizitës në Kolumbi do ta bëjë edhe inaugurimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bogota”, shkruan në njoftimin e Presidencës.
KOHA është informuar nga burime të ndryshme se Presidenca u ka dërguar email autoriteteve të Kolumbisë, ku ua konfirmon se është presidentja Osmani që do të marrë pjesë në emër të Kosovës.
Lidhur me këtë nuk komentuan në Presidencën e Kosovës, as për atë nëse ka pasur koordinim paraprak me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, lidhur me pjesëmarrjen në inaugurimin e Misionit Diplomatik. Zyrtarja e Presidencës, Egnesa Vitia, ka vënë në dispozicion dokumentin mbi bazën e të cilit është hapur Ambasada, duke thënë se aty jepen përgjigjet në pyetjet e KOHËS.
Por krejt çka ofrohet aty janë vendimet që i paraprinë hapjes së Ambasadës, për të cilat ministrja Gërvalla e kishte njoftuar presidenten në mars të këtij. Aty tregohen arsyet e kërkesës për hapjen e misionit diplomatik të Kosovës në Kolumbi.
“Siç jeni në dijeni, Republika e Kosovës dhe shteti i Kolumbisë përgjatë kohës kanë zhvilluar kontakte dhe takime formale dhe joformale në nivele të ndryshme, me dëshirën për të thelluar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet nesh, në fushat e interesit të përbashkët. Ky veprim do të plotësonte një objektiv kyç të politikës së jashtme, në aspektin e avancimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”, shkruan në dokument.
Propozimi për hapjen i ishte dërguar presidentes pasi paraprakisht pëlqimin e kishte dhënë edhe kryeministri Albin Kurti në vendimin e datës 14 mars 2024.
Sipas Kushtetutës, presidenti/ja udhëheq politikën e jashtme të vendit.
Në Ministrinë e Jashtme folën për atë se si i kanë përfunduar me sukses të gjitha procedurat për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi, tek i quajtën tendencioze pyetjet rreth temës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka përfunduar me sukses të gjitha procedurat për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi. Është nder i veçantë për MPJD-në që presidentja Osmani do të jetë personalisht e pranishme në hapjen e kësaj ambasade”, ka thënë Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministres Gërvalla.
Por ai nuk ka treguar se cili ka qenë koordinimi dhe nëse në Kolumbi do të jetë edhe ministrja Gërvalla bashkë me Osmanin.
E përgatitjet për hapjen e misionit ishin bërë nga vartës të ministres Donika Gërvalla.
Më 9 shtator, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, kishte qëndruar për vizitë zyrtare në Kolumbi, ku në takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas, ka diskutuar për hapjen e ambasadës së Kosovës në këtë shtet. Kjo ishte vizita e parë zyrtare në prag të hapjes së Ambasadës.
“Pikë kryesore e takimit ishte hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi. Hapja e Ambasadës tregon për angazhimin e Kosovës në këtë hemisferë të botës dhe nevojën për një prani më të madhe jo vetëm në Kolumbi, por edhe në gjithë Amerikën Latine. Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat”, shkruante në njoftimin e Ministrisë në Facebook.
Në korrik të këtij viti u raportua për krisjen e raporteve mes presidentes Vjosa Osmani, dikur udhëheqëse e Listës Guxo, dhe ministres së Jashtme Donika Gërvalla, që tani drejton këtë parti.
Osmani e Gërvalla patën përplasje rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Gërvalla çoi një letër në emër të Qeverisë, drejtuar Këshillit të Evropës, me zotimin se së shpejti Kosova do ta bëjë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Presidenca më pas doli me reagime duke thënë se për letrën nuk pati koordinim mes Qeverisë dhe Osmanit. Pavarësisht zotimit për draftstatutin, Kosova nuk u përfshi në agjendën e takimit të Këshillit Ministrial të Këshill të Evropës. Pas kësaj Gërvalla ka thënë se më nuk vlejnë as zotimet për Asociacionin, që ajo i ka shprehur në letër.
Osmani e Gërvalla në paraqitjet publike e thumbuan njëra-tjetrën edhe me tekste të këngëve ku u këndohen mashtruesve.