GAP: Vetëm 16 % e bizneseve në pronësi të grave, 82 % në pronësi të burrave dhe 2 % në bashkëpronësi
Vetëm rreth 16% e numrit të llogarive bankare të biznesit në Kosovë, janë në pronësi të grave, 82% janë në pronësi të burrave dhe 2% janë të regjistruar në bashkëpronësi. Kështu thuhet në raportin e Instituti GAP “Në kërkim të barazisë financiare: Qasja në financa për bizneset në pronësi të grave dhe të pakicave etnike”, të mbështetur nga USAID përmes Aktivitetit të Angazhimit Ekonomik Gjithëpërfshirës, në partneritet me CDF. Gjetjet u prezantuan sot në Konferencën Rajonale të Grave Ndërmarrëse “Fuqizimi i Grave Ndërmarrëse: Ndërtimi i Urave, Thyerja e Barrierave”.
“Rreth 16% e numrit gjithsej të llogarive bankare të biznesit në Kosovë, janë në pronësi të grave, 82% janë në pronësi të burrave dhe 2% janë të regjistruar në bashkëpronësi. Bizneset në pronësi të grave në Kosovë kanë 2.4 herë më pak hua sesa ato në pronësi të burrave. Konkretisht, niveli i borxhit aktiv për bizneset në pronësi të grave është 642.6 milionë euro, ndërsa për burrat është 1.6 miliardë euro. Për më tepër, bizneset në pronësi të grave zotërojnë 14.2 herë më pak depozita se ato në pronësi të burrave, apo vetëm 111.9 milionë euro krahasuar me bizneset në pronësi të burrave që zotërojnë 1.58 miliardë euro depozita”, thuhet në raportin e GAP-it .
Sipas këtij raporti, ngjashëm, edhe tek llogaritë individuale gratë zotërojnë 2.42 herë më pak depozita sesa burrat në llogaritë e tyre individuale. Shuma e depozitave të zotëruara nga gratë në llogaritë e tyre bankare është 829.5 milionë euro, ndërsa nga burrat është 2.01 miliardë euro.
Në gjashtë vitet e fundit (2016-2022), Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka ndihmuar me ofrimin e garancisë për 12,653 hua, nga të cilat 1,725 (14%) janë për biznese në pronësi të grave. Shuma totale e huazuar që FKGK ka garantuar pjesërisht nga viti 2016 deri në vitin 2022 për bizneset në pronësi të grave është 63.3 milionë euro ndërsa për bizneset në pronësi të burrave është 458.9 milionë euro. Ndonëse FKGK ka kontribuuar jashtëzakonisht në edukimin financiar dhe qasjen në financa për gratë, duke ofruar garanci për kapërcimin e sfidës së kërkesave për kolateral, ende ka shumë punë që duhet bërë nga politikëbërësit.
Bazuar në gjetjet e raportit, Instituti GAP u rekomandon politikëbërësve, institucioneve financiare dhe palëve të tjera të interesuara të promovojnë edukimin financiar dhe përfshirjen për gratë duke ofruar financim të synuar dhe programe investimi, si dhe duke krijuar mundësi për mentorim dhe rrjet-formim. Kjo mund të bëhet duke ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi për të edukuar gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara mbi të drejtat e tyre për të zotëruar tokë dhe pasuri, dhe duke shpërndarë informacion në lidhje me kornizat ligjore, të drejtat e trashëgimisë dhe proceset e regjistrimit të pronës.