GAP: Tarifa 100% rriti çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë
Instituti GAP ka publikuar gjetjet e një hulumtimi të zhvilluar para masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Në këtë hulumtim, GAP-i ka trajtuar ndikimin e taksës 100% në prodhim dhe çmimet e produkteve në Kosovë, duke krahasuar periudhën janar-tetor 2018 me periudhën janar-tetor 2019.
“Në periudhën janar-tetor 2019, ky sektor kishte rritje për 10%, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2018, rritja e industrisë përpunuese ishte 16%. Për më shumë, trendi i punësimit mesatar përgjatë muajve të vitit 2019 ka ndjekur trendin e viteve të kaluara, duke mos pasur ndonjë devijim nga cikli i rënieve dhe ngritjeve të numrit të të punësuarve. Konkretisht, gjatë vitit 2019, numri i punonjësve në sektorin e industrisë përpunuese është rritur në mesatare për 7%, ndërsa në 2018 rritja ishte 10%. Por, një ndikim më i theksuar i tarifës 100% vërehet në çmimet e produkteve në Kosovë gjatë vitit 2019. Rritjen më të madhe e kishin çmimet e ushqimeve dhe pijeve të cilat janë rritur për rreth 6.1% në periudhën janar-shator 2019 krahasuar me 2018, që ishte edhe rritja më e lartë nga 2017”, thuhet në raportin e GAP-it.
Më tej, në raport thuhet se importet e produkteve nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë rënë drastikisht pas hyrjes në fuqi të taksës 100%, ndërsa eksportet e Kosovës drejt këtyre vendeve kanë pësuar rënie më të lehtë.
“Eksportet e Kosovës drejt Serbisë dhe BiH, edhe pse kanë pësuar rënie, ajo nuk ka qenë aq e theksuar sikur në rastin e importit nga këto dy vende. Vlera e produkteve të eksportuara drejt Serbisë nga Kosova gjatë 2019 ishte rreth 17% më e ulët, nga 27 milionë euro në 2018 në 22.8 milionë euro në 2019. Ndërsa, vlera e produkteve të eksportuara drejt BiH nga Kosova gjatë 2019 ishte rreth 28% më e ulët se në 2018, nga 6.7 milionë euro në 2018 në 4.8 milionë euro në 2019”, thuhet në analizën e GAP-it.
Po ashtu, thuhet se nga vendet që kanë pasur një rritje më të theksuar me pjesëmarrjen e tyre në importin total të Kosovës në vitin 2019 janë Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.
GAP-i kujton se që nga 21 nëntori i vitit 2018, Kosova nisi aplikim e tarifës 100% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina (BiH).
Deri në kohën e tarifës, Serbia ishte eksportuesi kryesor në Kosovë, mirëpo në të njëjtën kohë ajo mbetej edhe shteti që aplikonte më së shumti barriera tregtare për bizneset kosovare që eksportonin atje.
“Vendosja e tarifës ka paraqitur sfidë për një pjesë të prodhuesve në Kosovë për shkak të varësisë së tyre nga lënda e parë që vinte nga Serbia dhe për importuesit e produkteve finale. Përveç nevojës për të zëvendësuar produktet e importuara nga Serbia, bizneset janë përballur edhe me rritje të kostos së transportit”, ka theksuar Instituti GAP.
GAP-i thotë se qeveria aktuale ka propozuar një nismë për heqjen e tarifës 100%, fillimisht në lëndën e parë e më pas në tërë produktet.
“Vendimi për aplikimin e tarifës 100% ishte kryesisht i karakterit politik. Kjo analizë vlerëson ndikimin e tarifës 100% në prodhimin dhe çmimet e produkteve në Kosovë”, thotë GAP-i.
Analizën e plotë të GAP-it e gjeni KËTU.