Galeritë dhe Muzetë u hapën, por sa po vizitohen nga kosovarët?
Në Kosovë dje ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave të izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Kjo fazë parasheh që të hapen edhe galeritë dhe muzetë.
Por, sa do të vizitohen nga qytetarët e Kosovës, ende nuk dihet, ndonëse edhe para pandemisë nuk ka numër të madh të njerëzve që frekuentojnë galeritë dhe muzetë.
Arta Bunjaku, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës ka thënë për Fakte Plus se pandemia ka ndikuar për të mirë pavarësisht humbjeve të mëdha.
“Galeria Kombëtare e Kosovës ka humbur mjaft shumë në këtë kohë. Mirëpo edhe ka fituar, kjo për shkak të mënyrës virtuale të ekspozimit, e cila është përmirësuar, në mënyrë që mos ta lëmë publikun pa kontakt me galerinë” ka thënë ajo.
Numri i vizitorëve në Galerinë Kombëtare sipas saj është rritur viteve të fundit. Megjithëkëtë, në këtë kohë pandemie, Bunjaku theksoi se në galeri zakonisht nuk ka numër të madh të njerëzve.
“Në galeri nuk mund të ketë numër të madh të njerëzve, që mund të paraqesin rrezik sallat tona”.
“Numri i vizitorëve varet nga ekspozitat. Mirëpo ky numër sillet prej 1000 deri në 2000 për ekspozitë. Por mund të themi se numri është rritur viteve të fundit. Çdo vizitor për neve është një plus i madh, sepse kjo tregon se ne me programin tonë e kemi ngjallë kureshtjen” ka theksuar Bunjaku.
Edhe pse ka qenë e mbyllur, galeria ka funksionuar online.
“Gjatë kësaj kohe kemi mbajtur interesimin e publikut, me postime të ndryshme, me koleksione e vepra të cilat artistët i kanë punuar gjatë karantinës”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë galeria sot është hapur me orarin e njëjtë të vizitave sikurse në të kaluarën.
“Sot galeria kombëtare është hapur me dy ekspozita që kanë qenë aty, të cilat janë ndërpre për shkak të pandemisë. Planet tona janë të vazhdojmë me programin e ekspozitave, normal me 3 muaj në vonesë, ku ekspozita e prillit është shtyrë që të hapet në qershor” ka thënë Bunjaku.
Bunjaku shtoi se vizitorët do të udhëzohen nga kujdestari i sallës për numrin e personave që mund të hyjnë në sallë i cili është 2-3 persona për sallë.
“Është ndjenjë e mirë të vizitohet galeria pas gjithë kësaj kohe të mbylljes për shkak të pandemisë. Dezinfektimi është bërë në të gjitha sallat, dhe do ta limitojmë numrin e vizitorëve në ekspozitën e radhës brenda sallës. Vizitorët janë të obliguar të mbajnë masa mbrojtëse, maska dhe doreza”, tha ajo.
Aktivitete virtuale ka realizuar edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.
Ajet Leci, drejtor në këtë muze ka thënë se për shkak të masave të marra nga qeveria kundër pandemisë Covid-19.
Mbyllja e këtij institucioni, sipas Lecit ka ndikuar në planet e Muzeut.
“Mbyllja e këtyre institucioneve ka ndikuar në mos realizimin e planifikimit që kemi bërë me parë, si psh. organizimi rreth Ditës Ndërkombëtare të Muzeve si dhe ekspozitave që janë paraparë në këtë kohë. Për shkak të pandemisë kemi bërë aktivitete/ ekspozita virtuale”.
Sipas vendimit të Qeverisë për hapjen graduale të fazës së dytë edhe muzetë janë paraparë që të hapin dyert për vizitor.
Ndërkaq vetëm gjatë vitit 2019 ky muze është vizituar nga mbi 10.000 njerëz./FaktePlus/.