Gabimet qesharake të Presidentin në paradë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që njëherit është edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Kazermën “Adem Jashari”. Ai para ushtarëve të FSK’së ka dalë me uniformë. Por, presidenti i vendit nuk e ka respektuar uniformën e ushtrisë. Ai gjatë parakalimit nuk ka pasur të vendosur kapelë – nuk e ka veshur komplet uniformën. Për këtë, Thaçi është kritikuar nga ekspertë ushtarakë. Ata thonë se presidenti sot është dukur qesharak.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, ka thënë se paraqitja e presidentit Hashim Thaçi sot në Kazermën “ Adem Jashari” ishte imazhi më i keq për Ushtrinë e Kosovës.
Selimi në një deklaratë për Gazetën Express ka thënë se Thaçi, si komandant i përgjithshëm i FSK’së, nuk ka respektuar rregulloren për uniformat dhe dukjen personale të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Deputeti i VV’së madje ka thënë se “Thaçi sot është dukur si një palaço”.
“Ai nuk e ka respektuar sot FSK’në me paraqitjen që e ka bërë. Në momentin që e vesh një tesh me simbole të Kosovës, në këtë rast Thaçi e ka pasur të veshur xhaketën, është dashur që të vendos në kokë edhe kapelën. Po ashtu ai është dashur të veshë edhe pantallonat, t’i mbathë çizmet dhe të duket tamam si një ushtar”, ka thënë Selimi.
Ai ka bërë me dije se Thaçi me veprimet e tij ka fyer FSK’në dhe ka treguar mosrespektim. E krejt këto veprime, sipas Selimit, janë të qëllimshme.
“Thaçi këtë veprim e ka bërë me qëllim. Ai të gjithë gjërat e këqija i bën me qëllim. Kështu ka vepruar edhe sot. Ka mundur të vishet siç duhet, por ai sot veshi vetëm një gjaket të ushtrisë, derisa pjesën tjetër te rrobave i kishte zyrtare”.
Kurse, ish-ushtaraku tjetër, Naim Maloku ka thënë për Gazetën Express se Hashim Thaçi ka imituar presidentët amerikanë me paraqitje.
“Presidenti sot siç duket me paraqitjen e tij i ka imituar presidentët amerikanë. Ata nuk mbajnë kapele në paraqitjet e tyre. Ushtaraku duhet me patjetër ta mbajë kapelën, mirëpo për presidentin nuk e di nëse është praktikë një gjë e tillë. Është në vullnetin e tij nëse do ta mbajë apo jo kapelën”, ka thënë Maloku.
Hashim Thaçi, një ditë para votimit të ushtrisë në Kuvend, në rolin e komandantit suprem përformoi me uniformë në kazermën “Adem Jashari”.
Transformimi i FSK-së në ushtri, asnjëherë nuk ka qenë më afër. Nesër do të votohet në lexim të dytë pakoja e projektligjeve, të cilat do ta bëjnë Kosovën me ushtri.
Ndërkaq, SHBA deri tani ka kundërshtuar krijimin e ushtrisë së Kosovës, pa pajtimin e përfaqësuesve serbë.
Amerikanët kërkonin që ushtria të bëhej sipas ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa tashmë SHBA i ka dhënë përkrahje transformimit të FSK-së sipas ligjit. Megjithatë, brenda NATO’s ka qëndrime të ndryshme nëse Kosova duhet ta formojë tani ushtrinë.
Sekretar i Përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, javën e kaluar është deklaruar se është kundër formimit të ushtrisë. Pro, nuk është as Gjermania.
Nesër, më 14 dhjetor, në Kuvend është paraparë që të dalë në votim në lexim të dytë pakoja e ligjeve për transformim të Forcave të Sigurisë në ushtri.